Ish-deputetja e Nismës që kaloi në AAK i bashkohet PDK-së

Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Nismës Socialdemokratike, Shukrije Bytyqi, ka aderuar në Partinë Demokratike të Kosovës.

Kështu ka bërë të ditur Isni Kilaj, kandidati i PDK-së për kryetar të Malishevës.

Kilaj ka thënë se kuadrot e tilla janë mjaft të rëndësishme në rrugëtimin e tyre për zhvillimin e Malishevës.

“Ish-deputetja e Nismës, profesoresha Shukrije Bytyçi, në përkrahje të qeverisjes sime. Kuadrot e tilla janë mjaft të rëndësishme në rrugëtimin tonë për zhvillimin e Malishevës. Përvoja e saj si profesoreshë e deputete e fuqizon vizionin tonë. Është po ashtu një dëshmi shtesë se po i afrohemi çdo herë e më shumë fitores”, ka shkruar ai në Facebook.

Në janar të këtij viti, në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, Shukrije Bytyqi, i qe bashkuar AAK-së, e cila e kishte futur në listën e kandidatëve për deputetë.

Zgjedhjet lokale do të mbahen më 17 tetor 2021.