Ish-deputetit të VV-së i vërtetohet dënimi me 1 vit e 2 muaj burgim me kusht për gazin lotsjellës në Kuvend

Gjykata e Apelit e ka vërtetuar dënimin prej 1 viti e 2 muaj burgim me kusht, të shqiptuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë ndaj ish-deputetit Driton Çaushi, për akuzat se ka hedhur gaz lotsjellës në Kuvend dhe ka penguar në kryerjen e detyrave zyrtare, kryetarin e Kuvendit dhe deputetët.

Më 12 tetor 2021, Çaushi ishte dënuar me 1 vit burgim me kusht për veprën penale “përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”, kurse me 3 muaj burgim me kusht për veprën penale “pengimi i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare”. Më pas, ndaj tij ishte shqiptuar dënimi unik në kohëzgjatje prej 1 viti e 2 muaj burgim me kusht, në afat verifikimi prej 2 vitesh, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në vendimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se Apeli e ka refuzuar ankesën e prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, duke e lënë kështu në fuqi aktgjykimin e shkallës së parë.

Sipas Apelit, pas shqyrtimit të të gjitha shkresave të lëndës, vlerësimit të pretendimeve ankimore dhe analizimit të aktgjykimit të ankimuar në kuptim të nenit 394, paragrafit 1 të KPPRK-së, gjykata konstatoi se ankesa e prokurorisë nuk është e bazuar.

Tutje, në arsyetimin e vendimit thuhet se aktgjykimi i ankimuar nuk përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, as shkelje të ligjit penal në dëm të të akuzuarit dhe se gjendja faktike nuk ka qenë objekt vlerësimi i kësaj gjykate, ngase as me ankesë nuk ka mundur të konstatohet, për faktin se i akuzuari në shqyrtimin gjyqësor ka pranuar fajësinë për të gjitha pikat e aktakuzës.

Gjithashtu, thuhet se sipas vlerësimit të kolegjit penal të Gjykatës së Apelit, pretendimet ankimore të prokurorisë janë të pabazuara, kjo për faktin se gjykata e shkallës së parë ka konstatuar dhe vlerësuar drejt të gjitha rrethanat që ndikojnë në caktimin e llojit dhe lartësisë së dënimit dhe ka marrë për bazë edhe rrethanat lehtësuese.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 27 mars 2018 kishte ngritur aktakuzë ndaj Driton Çaushit, me arsyetimin se më 10 gusht 2016, gjatë mbajtjes së mbledhjes në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku ka qenë pjesëmarrës i akuzuari, në cilësinë e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, ka hedhur gazin lotsjellës në këtë sallë, me çka ka rënë ndesh me nenin 9.1 të Rregullores nr.04/12 për Armëmbajtje në Republikën e Kosovës, ku ndalohet përdorimi i armëve.

Me këto veprime, thuhet se i njëjti ka kryer veprën penale “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 375, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet.

Sipas aktakuzës, Çaushi gjithashtu thuhet se ka kryer edhe veprën penale “Pengimi i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare” nga neni 409, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej tre muaj deri në tre vjet.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Çaushi në vendin dhe kohën e lartcekur, gjatë përdorimit të gazit lotsjellës ka penguar personat zyrtar-dëshmitarin Kadri Veseli, në cilësinë e kryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe dëshmitarët-deputetët Adem Grabovci, Ismet Beqiri, Sabri Hamiti etj, në kryerjen e detyrave zyrtare, me ç’rast të gjithë personat zyrtarë janë detyruar ta ndërpresin mbledhjen dhe të largohen nga salla.

Shënim: Personat e përmendur në ketë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.