Ish deputeti: Ka pasur presion të madh që të miratohej ligji për lojërat e fatit

Sipas ish-deputetit dhe ish-ministrit, Arsim Bajrami, nuk ka pas asnjëherë presion më të madh ndaj deputetëve të Kosovës se në rastin e miratimit të Ligjit për lojërat e fatit.

Ai ka thënë se kur është miratuar ai ligj, shfuqizimi i të cilit pritet shpejt, presioni vinte nga grupe që kontrollonin këto biznese.

“Kam qenë deputet kur është miratuar ligji për lojërat e fatit dhe s’mbaj mend në përvojën time 15 vjeçare si deputet apo në pesë legjislatura presion më të madh se kur është miratuar ai ligj. Ka pas lobime, grupe të interesit, grupe që kanë kontrolluar atë biznes, nga jashtë politika, por presioni ishte mbi Parlament”, ka thënë ai në Rubikon të KTV-së.

Javën e ardhshme do të mbahet seanca e Kuvendit ku do të shqyrtohet projektligji që ndalon lojërat e fatit, përveç Lotarisë së Kosovës.