Ish deputeti i LDK-së e lut Mustafën: Mos e prish koalicionin, nuk është tani momenti i duhur

Ish deputeti i LDK-së, Adem Salihaj i ka bërë apel kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa që të mos ngutet për prishjen e Qeverisë Kurti.

Salihaj, thotë se tani për tani nuk është momenti i duhur për ta vënë në pikëpyetje koalicionin dhe qëndrueshmërinë e qeverisë.

Shkrimi i plotë:

Apeloj te kryetari Isa Mustafa që të jetë i kujdesshëm dhe i matur në marrjen e vendimeve. Janë momente të rënda dhe duhet maturi maksimale.
Rrëzimi i qeverisë dhe shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme do t’i jepte presidentit Hashim Thaçi kompetenca të rrezikshme, të cilat ai do t’i shfrytëzonte për ta nënshkruar marrëveshjen për ndarjen e Kosovës.
Ka shumë shenja se kjo nguti ka të bëjë me planin për ndarjen e Kosovës dhe humbjen e Trepçës.
Aksionarë të ardhshëm të atyre 500 miliardë eurove të pasurisë së Trepçës mund të jenë edhe individë në SHBA.
Nuk është aspak momenti i përshtatshëm për ta vënë në pyetje koalicionin dhe qëndrueshmërinë e qeverisë. Prishja e koalicionit në situatën kur është rrezikuar ekzistenca biologjike e popullit tonë, do të ishte vetëvrasëse. Në këtë situatë, kur nuk e dimë a do të jemi gjallë për disa ditë apo javë, nuk mund të jetë aspak aktuale dhe e ngutshme çështja bisedimeve me Serbinë. Së pari ta kalojmë këtë situatë, pastaj merremi me çështjet tjera.

LDK-ja nuk bën të jetë në të njëjtën anë me Hashim Thaçin, PDK-në dhe Listën Serbe.
Ky pozicionim në të kaluarën i ka kushtuar shtrenjtë LDK-së dhe Kosovës.
Miqësia jonë me SHBA-të asnjëherë nuk është vënë e as nuk duhet vënë në pyetje. Miqësia me SHBA-të është jetike për ekzistencën e Kosovës.
Por, nuk duhet harruar se në SHBA nuk janë të gjithë dashamirë të Kosovës.
Bolton, Perdue…, por edhe të tjerë… ishin dhe janë ithtarë të ndryshimit të kufinjëve, pra të ndarjes së Kosovës. Në SHBA,duhet ta kuptojmë, ekziston edhe lobi serb, jo vetëm ai shqiptar.
LDK-ja nuk duhet të jetë në shërbim të këtyre pazareve të rrezikshme.
Fati i asnjërit prej nesh veç e veç nuk mund të jetë më i rëndësishme se fati i gjithë Kosovës.
Rrëzimi i kësaj qeverie , e cila shpreh vullnetin e qytetarëve të Kosovës dhe krijimi i një qeverie me PDK-në, do të çojë domosdo te realizimi i planit për ndarjen e Kosovës.
Apeloj edhe te deputetët e të gjitha partive pa përjashtim, që të jenë të matur dhe të mos e rrezikojnë shtetin, por edhe vetë qenjen e Kosovës. Rrëzimi i qeverisë dhe gjendja e jashtëzakonshme do të ishin me pasoja katastrofale dhe do ta shënonin fundin e Kosovës si shtet.