Ish-avokati i Fatmir Limajt lëshon urdhër-arrest për Vladimir Putin

Të premten, Gjykata Ndërkombëtare e Hagës ka lëshuar një urdhër-arrest për presidentin e Federatës Ruse, Vladimir Putin nën dyshimet e bazuara për krime lufte që kanë të bëjnë edhe me dëbimin dhe rrëmbimin e fëmijëve ukrainas nga zonat e pushtuara në këtë shtet.

Mbi Putin rëndojnë akuza për krime lufte që kanë të bëjnë edhe me paraburgimin, maltretimin, kushtet çnjerëzore të burgjeve për shtetasit ukrainas, njoftoi Gjykata Ndërkombëtare në Hagë.

E në krye të Gjykatës Ndërkombëtare për Krime të Luftës është një njëri jo i panjohur edhe për publikun në Kosovë. Bëhet fjalë për Kryeprokurorin e kësaj Gjykate, Karim Asad Ahmad Khan, një ish-avokat britanik i cili gjithashtu kishte qenë avokat i kreut të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj në dy çështje të tij në Kosovë teksa po hetohej nga EULEX-i.

Karim Khan kohë më parë kishte qenë avokat i Fatmir Limajt, kur ky i fundit po gjykohej nga EULEX-i për krime lufte në rastin “Kleçka” dhe gjithashtu në akuzat për korrupsion dhe krim të organizuar ndaj tij. Ai kishte mbrojtur Limajn gjatë viteve 2014 – 2017 në Gjykatën e EULEX-it në Kosovë.

Si udhëheqës i trupit mbrojtës të Fatmir Limajt, Khan kishte arritur që ta shpall të pafajshëm në dy aktakuzat që po rëndoheshin mbi të, kryetarin e Nismës Socialdemokrate ku edhe u lirua në vitin 2017, shkruan Paparaci.

Khan kishte qenë gjithashtu avokat mbrojtës i Limajt edhe kur ky i fundit po gjykohej për krime lufte në Gjykatën e Hagës.

Khan u emërua si Prokurorit i Gjykatës së Hagës në qershor të vitit 2021, në moshën 51 vjeçare si avokat, prokuror dhe hetues me përvojë shumë vjeçare në të drejtën ndërkombëtare.

Por, kush është Khan edhe më tutje?

Ai ka punuar si Zyrtar Ligjor në Zyrën e Prokurorit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë ndërmjet viteve 1997-98. Më vonë ai ka shërbyer si këshilltar ligjor në Zyrën e Prokurorit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për Ruandën.

Midis vitit 2006 dhe 2007, Khan ishte avokati kryesor mbrojtës i ish-presidentit të Liberisë, Charles Taylor përpara Gjykatës Speciale për Sierra Leone.

Khan kaloi disa vite i angazhuar në çështjet kryesore në Gjykatën Penale Ndërkombëtare, Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, Tribunalin Penal Ndërkombëtar për Ruandën, Dhoma e Jashtëzakonshme në Gjykatat e Kamboxhias dhe Tribunalin Special për Libanin. Në vitin 2008, ai u emërua këshilltar kryesor i ish-gazetares së Le Monde, Florence Hartman e cila kishte shërbyer si zëdhënëse kryesore e prokurores së ICTY dhe ICTR, Carla Del Ponte, kur ajo u akuzua për shpërfillje të gjykatës.

Ndërmjet viteve 2008 dhe 2010, ai ishte i angazhuar si Këshilltar Kryesor përpara ICC-së duke përfaqësuar liderin rebel sudanez, Bahr Idriss Abu Garda, i dyshuari i parë që u dorëzua vullnetarisht në juridiksionin e Gjykatës. Në janar të vitit 2011, ai u bë Këshilltar Kryesor për të përfaqësuar Francis Muthaura përpara GJNP-së në lidhje me dhunën paszgjedhore të viteve 2007-08.

Khan përfaqësoi një grup avokatësh anglofonë të të drejtave të njeriut të akuzuar për terrorizëm dhe vepra të tjera para Gjykatës Ushtarake në Yaounde, Kamerun dhe gjithashtu ishte i angazhuar në një sërë çështjesh të rëndësishme penale të karakterit të së drejtës ndërkombëtare.

Krejt në fund, në vitin 2021 ai u emërua Kryeprokuror i Gjykatës Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë dhe tani ka ngritur urdhër-arrest ndaj presidentit rus, Vladimir Putin.