Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, James O’Brien, i ka paralajmëruar të hënën Kosovën dhe Serbinë se shkaktimi i trazirave në veri të Kosovës nënkupton përballje me NATO-n.
Në lidhje me këtë ka folur ish-atasheu i Kosovës në SHBA, Xhavit Gashi, i cili potencoi se deklaratat e O’Brien janë më shumë për palën serbe.
“E vërtetë, ata që shkaktojnë telashe, ne nuk jemi palë në këtë aspekt, bashkëpunimi i Kosovës me NATO-n nuk ka qenë asnjëherë problem. Është Serbia ajo e cila e ka quajtur NATO-n gjithmonë agresor, me aktet e fundit është parë jo vetëm qytetarë kosovarë dëmtohen me krimin terrorizmin serb, por vetëm NATO-ja është dëmtuar, këto i dedikohen më shumë palës serbe se kosovare”, ka thënë Gashi në InfoMagazine në Klan Kosova.
Tutje, Gashi mes tjerash vuri në pah se Kosova duhet të jetë një faktor stabilizues dhe të zbatojë ato për çka është pajtuar në raport me Serbinë.
“Kosova të luajë rolin e vet që të jetë faktor stabilizues të fokusohet në deklaratat e liderëve, jo që kanë munguar më herët, të fuqizohen deklaratat, kërkesat për anëtarësimin e Kosovës në NATO, dhe rikonfirmimi se Kosova se do të zbatojë ato për çka është përkushtuar dhe është pajtuar në raport me Serbinë, që kemi një garanci në këtë rrugëtim, kemi Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe miqtë tanë tjerë evropian”.
“Ne e dimë se anëtarësimi në NATO nuk është vetëm problem ushtarak por edhe politikë ekonomik, ka shumë faktor, që hapin një rrugë më të shpejt dhe më të suksesshme për anëtarësimin e një vendi në NATO”.







