Ish-ambasadori Cufaj për FAZ-in: Kurti hoqi dorë nga premtimet, nuk ka jetesë të mirë e as frenim të Asociacionit

Ish-ambasadori i Kosovës në Gjermani, Beqë Cufaj, në një shkrim për të përditshmen gjermane ‘FAZ’ në nder të përvjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës, ka dhënë një varg kritikash për Qeverinë Kurti dhe shefin e saj. 

Cufaj për FAZ, siç e citon gazetari gjerman Michael Mertens, ka thënë se kryeministri Kurti ka hequr dorë nga premtimet e fushatës dhe nuk po arrin ta frenojë “Zajednicën” e as nuk arriti ta përmirësojë jetën e qytetarëve të vendit, shkruan Demokracia.com.

“Nepotizmi ende mbizotëron, partia sundon në institucionet publike (…) Pas dy vitesh në qeverisje, Kurtit iu desh të hiqte dorë nga të dyja premtimet e fushatës. Nuk u bë jeta më e mirë për qytetarët, e ai as nuk po mund ta pengojë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe”, ka deklaruar Cufaj.

“Qeveria gjermane, si sponsori kryesor i Albin Kurtit, duhet të dëbojë populizmin nga krijesa e tij. Kosova nuk mund të lejojë të mos mbrohet nga Perëndimi”, ka shtuar më tej ai.

Gazetari gjerman ka lënë hapësirë që kritikat e Cufajt të interpretohen si “hakmarrje për shkarkimin e tij nga pozita e ambasadorit”.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka shkarkuar përpara një viti ish-ambasadorin Cufaj. Në vend të tij, si ambasador po shërben tash e një vit Faruk Ajeti.