Ish ambasadori amerikan: Zgjidhja për Kosovën s’mund të jetë e diktuar nga jashtë

Ish ambasadori i SHBA-ve në Serbi dhe presidenti i Institutit “Lindje-Perëndim”, Cameron Munter, vlerëson se zgjidhja e çështjes së Kosovës nuk mund të jetë e “diktuar nga jashtë”, por, thekson ai, duhet të jetë rezultat i marrëveshjes Kosovë-Serbi.

Munter ka thënë se ideja për korrigjim të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është një cështje e ndjeshme dhe duhet pasur kujdes.

Ai ka shtuar se nuk dëshiron që të spekulojë sa i përket një ideje të tillë, transmeton Ballkani.info.

“Për një gjë të tillë sigurisht që vendosin Qeveritë, por natyrisht që është një çështje e ndjeshme dhe duhet siguruar që jo vetëm qeveritë të mbeshtesin një gjë të tillë, por të përkrahet edhe nga të gjithë qytetarët. Kjo është çështje shumë e ndjeshme për të cilën nuk duhen vetëm aftësi negociuese por edhe kurajo politike”, ka thënë Munter për tanjug.

Sa i përket vazhdimit të dialogut të Brukselit, Munter thotë se çelësi për një gjë të tillë është që në tryezë të negociohen tema të cilat janë të negociueshme.

Diplomati amerikan thotë se dialogu duhet të shihet si diçka nga i cili të dy palët do të fitojnë, dhe jo se çfarë do të humbet.

Ish-ambasadori amerikan ka folur edhe për përfshirjen direkte të SHBA-së në dialgoun e Brukselit, duke thënë se Shtëpia e Bardhë mbështet përpjekjet e Brukselit për të normalizuar raportet Prishtinë-Beograd.

Munter ndërkohë ka paralajmëruar që gjatë muajve në vazhdim do të ketë disa takime të rëndësishme nga të cilat do të dalin sugjerime që do të jenë të dobishme edhe për krerët dhe qytetarët e Kosovës dhe Serbisë.

Ky paralajmërim i Munter për përfshirje të SHBA’së në dialogun Kosovë- Serbi, vjen pas një kohe te shkurtër prej kur zyrtarë të lartë të Shtepisë së Bardhë dhe State Deparmtentit qëndruan në Kosovë me qëllim të zhbllokimit të dialogut dhe kërkuan heqjen e taksës. /Ballkani.info/