Kurt Volker

Ish-ambasadori amerikan në NATO: Sulmi në Banjskë synonte provokimin e policisë kosovare, për të reaguar Serbia

Sulmi paramilitar në Banjskë të Zveçanit ishte i dizajnuar që si i tillë të provokonte kundërpërgjigje nga Policia e Kosovës “ndaj të cilës më pastaj Serbia të mund të reagonte”, ka thënë ish-ambasadori amerikan në NATO, Kurt Volker, në një intervistë për Zërin e Amerikës (shërbimi në gjuhën serbe).

Volker tha se tash duhet që NATO të shtrojë presionin mbi Beogradit që këta të fundët haptazi të bëjnë thirrje te serbët kundër sulmeve të tilla dhe që sulme të tilla nuk janë të dëshirueshme.

“Ai incident me të shtëna kundër Policisë së Kosovës ishte i dizajnuar për të provokuar një kundërpërgjigje të Kosovës ndaj të cilës më pas Serbia do të mund të reagonte. Mendoj se së pari duhet të ushtrojmë presionin ndaj Beogradit për të parandaluar skenarë të tilla, provokime të tilla. Sepse nuk mendoj që kjo do të mund të ndodhte po qe se do të kishte mesazhe që vinë nga qendra (e Serbisë) se kjo nuk është gjë e dëshirueshme”, ka thënë Volker.

“E dyta, na duhet që të dyja palët të shtensionojnë, të mënjanojnë marrjen e hapave të tjerë që pala tjetër do ta shihte si eskaluese dhe provokuese, dhe ndaj të cilës do të kishte reagime”, tha ish-ambasadori.

Pyetur nga VoA se a beson se Serbia e ka humbur kredibilitetin si partner i perëndimit pas këtyre sulmeve, ku paraprakisht perëndimi peshën e fajin e shihte kah Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ish-ambasadori nuk jep përgjigje fikse.

“Epo, ta shohim. E kemi parë deklaratën që Serbia duhet t’i ngrejë mbrapsht forcat ushtarkae të saj nga vija administrative ose kufirit të Kosovës. Ne u kërkuam këtë. Mendoj se me Jim O’Brien do të kemi një pamje të re të freskuar të gjërave. Duhet të shohim se si të ecet para si rezultat i këtyre zhvillimeve. Por, mendoj se është e mundshme”, ka thënë Kurt Volker.