Ischinger: Pa njohje të Kosovës, nuk ka BE për Serbinë

Diplomati gjerman, Wolfgang Ischinger, ka thënë se pa e njohur Kosovën, Serbia nuk duhet të pranohet në Bashkimin Evropian.

Në një postim në Twitter, eksperti për Ballkanin ka thënë se pas Samitit të Berlinit tashmë është bërë e qartë se s’duhet të ketë diskutime për ndarje territoresh në vija etnike.

Ischinger ka thënë se Kosova duhet të heqë taksën ndaj mallrave serbe dhe të fitojë menjëherë liberalizimin e vizave.

“Tani të gjithë e dinë pak më mirë se çka nuk është e dëshirueshme. Por si të vazhdohet tutje? Çka duhet të fitojë Serbia (për ta njohur Kosovën)? Rrugë të përshpejtuar për anëtarësim në BE? Por është e qartë – pa njohje – s’ka anëtarësim! Dhe Kosova do të duhej të ndalë taksën dhe të fitojë lëvizjen pa viza, menjëherë!” ka shkruar ai në Twitter.