Ischinger- Bërnabiqit: Nuk është në rregull adresimi i shqetësimeve përmes nxitjes së dhunës

Po vazhdon debati mes diplomatit gjerman, Wolfgang Ischinger dhe kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq.

I gjithë debati nisi kur Ischinger i bëri thirrje BE-së që reagojë për situatën në Veri, derisa bëri një pyetje.

Pas kësaj reagoi Bërnabiq, e cila e pyeti Ischingerin nëse e din pse po protestojnë serbët.

“I dashur Ischinger, a e dini pse serbët po protestojnë? Lutjet e tyre janë: 1) Zbatimi i Marrëveshjes së Brukselit (nënshkruar në 2013!); 2) sundimi bazë i ligjit (të mos arrestohen sipas dëshirës dhe të mbahen peng pa pasur as kontakt me familjet e tyre). A është shumë të kërkohet? Në kundërshtim me vlerat e BE-së?”, ka shkruar Bërnabiq.

Por as ky ‘tweet’ i Bërnabiqit nuk ka mbetur pa përgjigje.

Ish-emisari gjerman në bisedimet Kosovë-Serbi gjatë vitit 2007-2008, ka shkruar në Twitter se kërkesa legjitime ka nga të dyja palët, mirëpo shton se adresimi i shqetësimeve nuk duhet të bëhet përmes nxitjes së dhunës.

“Sigurisht që ka kërkesa legjitime, nga të dyja palët, në fakt. Ajo që nuk është në rregull është adresimi i shqetësimeve të tilla nëpërmjet nxitjes së dhunës dhe trazirave publike. Serbia e di saktësisht se si të veprojë si një fuqi e përgjegjshme! Krishtlindje do të thotë paqe!”, ka shkruar ai.