Isa Mustafa: Të merresh me deklaratat e Haxhi Avdylit dhe Haki Abazit është si të rrëshqasësh në gropë septike

“Komunist”, “ministër i fundit i krahinës socialiste të Kosovës”, e quajti dje deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli, kreun e partisë së tij, Isa Mustafa, pas një deklarate të këtij të fundit për Vjosa Osmanin në një debat televiziv.

Duke iu referuar me cilësime të tilla, Avdyli tha se Mustafa po e akuzon për komunizëm një profesoreshë të shkolluar në SHBA, në vendin simbol të demokracisë.

“Komunisti i fundit nga ish-Jugosllavia deri ish-BRSS , i shkolluar në Kumrovc, ministri i fundit i Krahinës Socialiste të Kosovës po e akuzon për komunizëm një profesoreshë të shkolluar ne SHBA, në vendin simbol të demokracisë. Ja deri ku arriti mediokriteti i tij”, shkruante dje Avdyli.

Mirëpo, një deklarate të tillë i është përgjigjur ashpër kreu i partisë, Isa Mustafa. Për lajmi.net, kreu i LDK-së, ka thënë se për të nuk ia vlen të merret me deklaratat as të Haxhi Avdylit e as të Haki Abazit.

Madje siç është shprehur ai, të merresh me ato se çka thonë këto dy personazhe, është si të bijesh në gropë septike.

“Të merrem me deklaratat e Haxhi Avdylit dhe Haki Abazit është njëjtë si me rrëshqitë në gropë septike”, ka deklaruar shkurt Mustafa për lajmi.net.

Kjo përgjigje e Mustafës ka ardhur pas pyetjes së lajmi.net se si e sheh ai qasjen e një deputeti të partisë së tij, ndaj pikërisht kryetarit të subjektit.

Ndryshe, pakënaqësitë e Haxhi Avdylit me udhëheqësinë e LDK-së kanë nisur qysh më herët pas përçarjeve të para të Vjosa Osmanit me Isa Mustafën, Agim Veliun dhe të tjerët.

Avdyli është një nga deputetët që ka dalë kundër shkarkimit të Vjosa Osmanit nga pozitat drejtuese në parti, e madje e ka përkrahur atë vazhdimisht dhe publikisht.

Sidoqoftë, ani pse në të shumtën e rasteve Avdyli ka dalë kundër partisë së tij, ai nuk ka vendosur ende ta lë LDK-në.