Isa Mustafa përkujton Vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zekën

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka përkujtuar Vëllezërit Gërvalla e Kadri Zekën në 37 vjetorin e vrasjes.

Mustafa tha se vrasja e tyre ishte një goditje e rëndë për lëvizjen e shqiptarëve të Kosovës, por gjithashtu ata u shndërruan në prijës të kauzës për lirinë e Kosovës, duke trasuar rrugën e qartë drejt lirisë, pavarësisë dhe demokracisë në Kosovë.

Më poshtë shkrimi i plotë

Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, u vranë mizorisht në vitin 1982 nga regjimi ish-jugosllav. Vrasja e tyre ishte një goditje e rëndë për lëvizjen e shqiptarëve të Kosovës, por gjithashtu ata u shndërruan në prijës të kauzës për lirinë e Kosovës, duke trasuar rrugën e qartë drejt lirisë, pavarësisë dhe demokracisë në Kosovë.

Jusuf Gërvalla ishte një intelektual i jashtëzakonshëm, që me vizionin e tij politik dhe vendosmërinë atdhetare, së bashku me Bardhosh Gërvallën dhe Kadri Zekën u bënë prijës të lëvizjes kombëtare nën regjimin komunist dhe me përkushtimin e tyre të pashoq arritën të ngritin nivelin e organizimit dhe unifikimit të veprimtarëve shqiptarë në kuadër të lëvizjes kombëtare për lirinë e Kosovës.

Aktiviteti dhe kontributi i jashtëzakonshëm i Jusuf Gërvallës dhe bashkëveprimtarëve të tij, pati ndikim vendimtar në dinamizimin e tërësishëm të lëvizjes kombëtare shqiptare kundër regjimit ish-jugosllav.

Vrasja mizore e vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës u krye nga ata që nuk e deshën Kosovën e lirë e demokratike.