Kryetari i LDK-së

Isa Mustafa: Nuk bëhemi pjesë e ekipit negociator, është grup i papërgatitur

Në konferencën për media, e mbajtur nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka folur i pari i partisë, Isa Mustafa.

Ai ka thënë se dialogun do ta shohin si opozitë dhe do të japin mendimet e tyre përmes votave në Kuvend për çdo marrëveshje që do të sillet për votim aty.

“Çdo marrëveshje e arritur ndërkombëtare, në fund do të sillet në Kuvend për votim dhe këto marrëveshje nuk do të kenë mundësinë të kalojnë më 59 vota siç ka kaluar rezoluta”, ka thënë Mustafa, transmeton Ballkani.info.

Tutje, Mustafa ka thënë se LDK nuk do të bëhet pjesë e grupeve të cilat sipas tij, nuk janë të përgatitura për procesin e dialogut.

Në fund, Mustafa ka thënë se Lidhja Demokratike nuk do të përkrahë idenë e korrigjimit të kufijve, apo krijimin e komunave me shumicë serbe.

“Ne e kemi thënë edhe më herët qëndrimin tonë, ne nuk do të përkrahim idenë e korrigjimit të kufijve apo cënimin e sovranitetit të Kosovës. Gjithashtu, nuk do të përkrahim formimin e komunave me shumicë serbe si pushtet i tretë, me të drejta ekzekutive” ka përfunduar Mustafa. /Ballkani.info/