Isa Mustafa: Mos e maltretoni Pacollin, sepse votat i kemi

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka reaguar pas maltretimit që po i bëhet kreut të AKR-së, Behgjet Pacolli për të ardhur në Kosovë nga Zvicra.

“Ministria e Shëndetësisë po merret me politikë në emër të Covid-19”, shkruan Mustafa.

Sipas tij, paralajmerimi i kësaj ministrie, se nëse vjen Behgjet Pacolli nga Zvicra do të vendoset në karantinë, është vendim politik. I izolimit të një deputeti. Të përfaqësuesit të popullit!

“Ministria s’mund të marrë vendime të tilla pa e parë dokumentacionin e z. Pacolli për gjendjen e tij shëndetësore, të cilin vlerësim nuk e bëjnë zyrtarët e ministrisë por ekipet e mjekëve. Ministria e ka vështirë të dëshmojë se nuk ka lejuar raste e raste të shkojnë në shtëpitë e tyre, pas dëshmive që kanë prezantuar për gjendjen e tyre shëndetësore. Prandaj nuk ka nevojë ta maltretojnë një deputet dhe një biznesmen të njohur”, ka shkruar Mustafa.

Sipas tij, sjellja e tillë e kësaj qeverie është argumenti më i mirë që ajo e arsyetoi rrëzimin e saj.

“Mos e maltretoni z. Pacolli, mos u thirrni në parimet që nuk i keni zbatuar ju që e keni shkelur Kushtetutën, sepse votat i kemi”, ka shkruar në fund Mustafa. /Ballkani.info/