Isa Mustafa mbledh Kryesinë e LDK-së, mësohet se për çfarë do të diskutojnë

Lidhja Demokratike e Kosovës gjatë ditës së nesërme do të mbajë mbledhjen e Kryesisë.

Partia ka njoftuar zyrtarisht se anëtarët e Kryesisë së saj do të tubohen të shtunën në selinë e LDK’së, në orën 11:00.

Nënkryetari i LDK’së, Agim Veliu, ka thënë se në mbledhjen e nesërme do të diskutohen zhvillimet e fundit për arritjen e koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje.

“Tema kryesore do të jetë ndërtimi i koalicionit të mundshëm”, ka thënë shkurtimisht Veliu për Insajderin.

Veliu ka shtuar se takimet me Lëvizjen Vetëvendosje do të shtohen.

Takimi i sotëm që zgjati rreth 2 orë mes kryetarit të VV’së, Albin Kurtit dhe atij të LDK’së, Isa Mustafa, nuk solli ndonjë rezultat konkret.

Të dyja palët janë dakorduar të takohen më shpesh deri në arritjen e një marrëveshjeje për koalicion qeverisës.

Më herët u raportua se se ajo që po e mban peng arritjen e një marrëveshjeje mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për krijimin e qeverisë së re të vendit janë kërkesat e LDK’së, të cilat për VV’në konsiderohen maksimaliste.

LDK’ja ka mbetur prapa kërkesave që t’i marrë dy poste të larta – atë të presidentit dhe të kryeparlamentarit, si dhe 5 ministri, aq sa edhe Vetëvendosje.

Partia e Albin Kurtit ndërkaq insiston që këto kërkesa janë maksimaliste, dhe se LDK’ja duhet të heqë dorë nga ky qëndrim.