Isa Mustafa largon nga lista një kandidat për deputet të dënuar

Haki Raqi nuk do të jetë kandidat i LDK’së për deputet. Ky është vendimi i Isa Mustafës pasi u raportua se i njëjti është i dënuar për vepra penale.

“Çdo kandidat i LDK-së që identifikohet se ka pasur dhe ka problem me ligjin do të nxirret nga lista për deputetë të LDK-së. Do të veprohet sipas ligjit edhe për z. Raç”, ka shkruar Mustafa në një reagim.

Raqi bashkë me dy zyrtarë të tjerë të Obiliqit kishin nënshkruar marrëveshje të pranimit të fajësisë me Prokurorinë, më 8 dhjetor 2015, ndërsa përmban nënshkrimet e kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinës, prokurores së rastit dhe 3 të akuzuarve.

Me këtë marrëveshje është përcaktuar që prokurori i shtetit t’ia bëjë me dije gjykatës se të akuzuarit Zejnullah Krasniqi, Haki Raqi dhe Bajram Paloji pajtohen të dënohen me burgim prej 5 muajve, në mënyrë që ai me pëlqimin e tyre të shndërrohet në dënim me gjobë siç është përcaktuar me dispozita ligjore.Gjykata pranoi sot këtë marrëveshje mes prokurorisë dhe 3 të akuzuarve.