Kryetari i LDK-së Isa Mustafa ka reaguar lidhur me çmimin e lartë të testit PCR që aktualisht kryhet vetëm nga një laborator privat i licencuar nga Ministria e Shëndetësisë, i cili është pronësi të “Devollëve”.
Reagimi i Mustafës, pas raportimit të mediave se një qytetar ka paguar 200 euro në laboratorin “Medical & Laboratory Services”, për ta kryer testin për Covid-19, derisa ka thënë se askush nuk mund të bishtërojë përgjegjësinë për çmimet që u caktohen qytetarëve.
“Në vend të arsyetimeve, institucionet përgjegjëse duhet të marrin veprime që të eliminohet çdo diskriminim i qytetarit, qofte me çmime të larta të pabaza, çoftë me marrëveshje të fshehta të eliminimit të konkurrencës, të atyre që janë licencuar”, ka thënë Mustafa, përmes një postimi në “Facebook”.
Reagimi i plotë:
Virusi Covid-19 nuk është një e mirë luksi, që përballohet dhe konsumohet nga ata që kanë para. Është një fatkeqësi me të cilën po bërballen qytetarët, pa dallim.
Prandaj askush nuk mund të bishtërojë përgjegjësinë për çmimet që u caktohen qytetarëve. Në vend të arsyetimeve, institucionet përgjegjëse duhet të marrin veprime që të eliminohet çdo diskriminim i qytetarit, qofte me çmime të larta të pabaza, çoftë me marrëveshje të fshehta të eliminimit të konkurrencës, të atyre që janë licencuar. IM







