Në konferencën për media të LDK-së, kryetari Isa Mustafa ka vazhduar të flasë rreth planeve për ‘rrëzimin’ e Qeverisë aktuale.

Isa Mustafa ka theksuar se Kosovës i duhet unitet dhe ka thënë se LDK-ja do t’i propozojë qytetarëve një qeverisje të drejtë.

“Lidhja Demokratike e Kosovës do t’i prezentojë qytetarëve një qeverisje të drejtë. Kosova ka nevojë për qeverisje të drejtë, duhet të kemi unitet. Sa për kosovarët e Luginës së Preshevës, LDK-ja do të kërkonte reciprocitet nga shteti serb, t’iu respektohen të drejtat e shqiptarëve ashtu siç Kosova i respekton të drejtat e minoriteteve në Kosovë” ka thënë Mustafa, përcjell Ballkani.info.

Kreu i LDK-së ka kritikuar gjithashtu qeverisjen aktuale për ngecje në mbarimin e procesit të Stabilizim Asociimit dhe se nuk e ka shumicën në Kuvend.

“Qeveria aktuale nuk e ka marrë seriozisht luftimin e krimit. Ne sot në mbledhje e kemi diskutuar detajisht edhe mundësinë për të shkuar në zgjedhje. Kjo Qeveri nuk përfaqëson shumicën në Kuvend, ajo nuk e ka dëshmuar veten dhe vlerësojmë se ka ngecur në zbatimin e Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit” ka thënë Mustafa. /Ballkani.info/