kreu i LDK

Isa Mustafa flet edhe një herë për taksën thotë se ishte veprim i pamenduar mirë

Kryetari i LDK’së, Isa Mustafa, ka thënë se partia e tij është e angazhuar për miqësi të përhershme me SHBA’të dhe partneritet me BE’në. Ai ka shtuar se përgjegjësinë për vendimet që prekin këto marrëdhënie duhet t’i marrë Qeveria dhe koalicioni qeverisës, duke folur kështu për taksën për të cilën ka thënë se nuk ka nevojë të shfrytëzohet për të bërë dallime të brendshme dhe se ky ishte një veprim i pamenduar mirë.

Mustafa këto komente i ka bërë në profilin e tij në Facebook, ku ka shkruar se si kryetar i LDK’së mendon se është masë e merituar ndaj Serbisë, por po ashtu është një masë popullsitë e pamatur mirë në momentin që është marrë.

“Dihet se taksa u vu një ditë pasi Qeveria dështoi të anëtarësoj Kosovën në Interpol. Dështimi iu vesh Serbisë me të drejtë, por për këtë dështim nuk u fajësua askush në Kosovë që nuk e bëri punën mirë. Që ta mund Serbinë. Taksa mbuloi çdo gjë, i mbuloi të gjitha dështimet dhe po vazhdon ti mbuloj edhe më tutje”, ka shkruar Mustafa.

Ai ka thënë se partia e tij nuk e ka propozuar taksën dhe nuk ka tentuar të marrë merita për të. Ai ka thënë se LDK’ja nuk konsideron se i takon asaj të shprehet se çfarë duhet të bëjë Qeveria me taksën.

“Kryeministri i ka 35 këshilltarë e 80 zëvendësministra; sikurse edhe Kryetari i Kuvendit dhe zëvendëskryeministri (që u ofruan të marrin merita) le të konsultohen me njerëzit e vet. Ata janë aty për të dhënë ndihmesën e tyre në punët e shtetit, jo që me para të shtetit ta sulmojnë opozitën.

Serbia po vazhdon aktivitetin e ndyre për tërheqje të njohjeve, por me te nuk po merren ndërkombëtarët. Të gjithë po merren me taksën e Kosovës”, ka theksuar Mustafa.

Statusi i plotë i Isa Mustafës:
https://www.facebook.com/IsaMustafaKS/posts/2026284760771084