Masa e reciprocitetit që po mendohet t’i vendoset Serbisë nga Qeveria e re, duket se nuk po mendohet njëlloj nga të dy partnerët qeverisës.
Pasi dje Vjosa Osmani kërkoi studim për këtë çështje që, siç e quajti ajo, del të jetë komplekse. Njëlloj po e quan edhe kreu i partisë, Isa Mustafa, i cili shton madje që do të kishte edhe pasoja.
Kryetari i LDK-së ka thënë për Express se, ani pse janë dakorduar me VV-në që Qeveria do ta vendos reciprocitetin, duhet të kihet kujdes pasi është komplekse dhe sjell pasoja.
“Në fillim të kësaj jave është zgjedhur Qeveria, e cila para vetes ka shumë punë, përfshirë edhe dialogun por edhe tarifën e vënë nga Qeveria Haradinaj. Në programin qeverisës jemi pajtuar që tarifa të ndërlidhet me reciprocitetin. Kjo tani është çështje e qeverisë dhe unë do të kursehesha që në këtë fazë të them se si duhet të bëhet. “Por duhet të them se është shumë komplekse dhe me pasoja shumëdimensionale. Besoj që Qeveria mund ta gjejë rrugën më të mirë, të bashkërendis me partnerët tanë ndërkombëtarë, veçmas me SHBA dhe BE”, ka deklaruar Isa Mustafa.
E këto fjalë të Mustafës nuk dalin të jenë të njëjta me shefin e Qeverisë, Albin Kurtin, i cili dje foli qartazi se reciprociteti është pashmangshëm dhe këtë nuk do ta kundërshtonte askush.
“Ne jemi këtu që si qeveri e re edhe për zotimin tonë që me Serbinë do të kemi reciprocitet si zëvendësim për tarifën. Edhe LDK edhe VV, edhe zonja Osmani edhe unë, mbi 60 për qind të votave kanë qenë me parimin e reciprocitetit. Besoj se edhe ata që janë në opozitë mund të mos pajtohen për gjëra të ndryshme, por për reciprocitetin janë plotësisht dakord”, ka thënë dje Albin Kurti.
Sidoqoftë, nga partia e Ramush Haradinajt, njeriut që e vendosi taksën, po konsiderohet si gabim historik heqja e saj. Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Daut Haradinaj, ka thënë se me këtë gjë Kurti po i bën mirë Serbisë.
“Taksa është vendos për shkak të fushatës agresive që Serbia ka përdor kundër Kosovës. Është gabim historik heqja e taksës, përderisa nuk kemi njohje reciproke. Zotëri Kurti, po dërgon lajme të mira për Serbinë e të këqija për prodhuesit e Kosovës”, ka thënë Haradinaj dje.
Ndërkaq, edhe ideatori i taksës, Haradinaj, ka folur rreth deklarimeve të Kurtit për heqjen e taksës. Ish-kryeministri Haradinaj i dërgoi letër Kurtit ku i kërkoi që taksa të mos hiqet.
“I dashur Albin, mos e largo taksën ndaj Serbisë për disa poena që mund të fitosh nga ndërkombëtarët”, tha ish-kryeministri në letrën drejtuar kryeministrit aktual.
Ndërkohë, heqjen e taksës e ka kërkuar me ngulm njeriu i Donald Trump, Richard Grenell, që në ditën e parë të Qeverisë. Ai shtoi se nevojitet fokusim në dialogun me Serbinë. Përveç që kërkoi ta hiqet taksa, Grenell nuk është deklaruar për reciprocitetin, të cilën gjë e kundërshton Serbia poashtu.







