Irani ia jep Evropës edhe dy muaj afat për marrëveshjen bërthamore

Presidenti i Iranit, Hassan Rouhani, ua ka ofruar fuqive evropiane dy muaj shtesë për ta mbrojtur marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, por paralajmëroi se vendi i tij do t’i vazhdojë përgatitjet për pasurim të uraniumit dhe se një gjë e tillë do të kishte efekte të jashtëzakonshme.

Deklarata e tij erdhi në kohën kur zyrtarët iranianë kanë dhënë shenja të përziera në reagimet ndaj propozimit francez për ta ruajtur marrëveshjen bërthamore duke ia ofruar Iranit rreth 15 miliardë dollar në linja kreditore deri në fund të vitit, nëse Tehrani e respekton plotësisht traktatin ndërkombëtar.

Një zyrtar iranian tha se vendi i tij do ta fillonte zbatimin e marrëveshjes, nëse e merr sasinë e mjeteve financiare në linja kreditore apo shitje të naftës. Sidoqoftë, televizioni shtetëror ka raportuar se Irani e ka refuzuar ofertën e BE-së për hua në këtë shumë.

Irani kishte dalë nga izolimi ekonomik pas nënshkrimit të marrëveshjes së vitit 2015 për kufizimin e zhvillimit të programit bërthamor në këmbim të heqjes së sanksioneve ekonomike. Megjithatë, Shtetet e Bashkuara u tërhoqën nga kjo marrëveshje vitin e kaluar dhe i kthyen sanksionet ndaj Iranit.

Rouhani më parë kishte kërcënuar se do të marrë masa të tjera për shkeljen e pikave të marrëveshjes nga 5 shtatori, nëse shtetet evropiane nuk bëjnë më shumë për ta mbrojtur Iranin nga ndikimi negative i sanksioneve amerikane, shkruan “Reuters”.

loading…