IPS “Musine Kokalari”: Kosova urgjentisht të luftoj dhunën kundër grave, ky duhet të jetë prioritet shtetëror

Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari” ka kërkuar që Kosova ta caktojë urgjentisht luftën ndaj dhunës kundër grave si prioritet shtetëror. Sipas tyre vrasja e Sebahate Sopit tashmë është dëshmuar si dështim i prokurorisë.

Dhuna ndaj grave dhe sidomos rastet fatale po arrijnë shifra alarmante. Në këtë drejtim është e domosdoshme që të merren masa konkrete për ta realizuar të drejtën për jetë e sigurinë në të për gratë e Kosovës.

Ky është reagimi i plotë i Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari”:

Vrasja e Sebahate Sopit tashmë është dëshmuar si dështim i prokurorisë. Kështu krimi bëhet edhe më i rëndë.

Dhuna ndaj grave dhe sidomos rastet fatale po arrijnë shifra alarmante. Në këtë drejtim është e domosdoshme që të merren masa konkrete për ta realizuar të drejtën për jetë e sigurinë në të për gratë e Kosovës. Asnjë prej këtyre rasteve të dhunës nuk bën të merren si sporadike e të mos ndërlidhura. Sepse të ndërlidhura janë. Nga sistemi ekonomik që i shtyp e përjashton e deri te kultura patriarkale që e normon pabarazinë, e fajëson viktimën dhe e mbron kriminelin. Ndaj kësaj nuk bën të heshtim. Aq më tepër organet shtetërore përgjegjëse për drejtësi, mbrojtje të qytetarëve e siguri për ta.

ISP “Musine Kokalari” i bashkohet thirrjes së IKD-së dhe RrGGK-së për hetim përmbajtësor të rastit në raport me dështimin institucional. Për më tepër, konsiderojmë që duhen marrë masa disiplinore dhe nëse ka hapësirë edhe penale për zyrtarët e përfshirë në këtë rast. Dështimi i mbrojtjes së viktimës së dhunës në familje nga ana e organeve të shtetit përbën krim në vete.

Nuk është hera e parë që organet e rendit kanë qasje të tillë shpërfillëse ndaj dhunë ndaj grave. Deklarata e prokurorisë në rastin e znj.Sopi qartazi fajin ia gjuan viktimës, për shkak se znj. Sopi nuk ka shkuar në intervistën e dytë. Prokuroria nuk e merr fare për bazë mjedisin e frikësimit e intimidimit në të cilin ndodhet viktima e dhunës në familje.

Dhe dështon në kryerjen e detyrës që ka. Prokuroria në raste të tilla duhet të vazhdojë me procedurat dhe të sigurojë masa që viktima e dhunës të jetë e lirë nga frika për të bashkëpunuar me organet e rendit. E jo t’i fajësojë ato.
Qasja e tillë e prokurorisë ndihmon krimin në vend se ta luftojë atë. Ky instalim i një mentaliteti të tillë në sistemin e drejtësisë është edhe neveritës edhe shqetësues.

Ka raste të shumta të raportuara kur zyrtarët policorë dhe/ose ata gjyqësorë kanë qasje të fajësimit të viktimës, duke shprehur edhe mirëkuptim herë të heshtur e herë të hapur për dhunuesin.

ISP “Musine Kokalari” kërkon që lufta ndaj dhunës kundër grave të bëhet prioritet shtetëror. Në këtë urgjentisht ta përpilojmë, miratojmë e zbatojmë një strategjishtetërore për viktimat dhe një tjetër për kryerësitë e veprave. Këto të përcillen me fushata agresive të sensibilizimit.

Po ashtu zyrtarët policor duhet t’i nënshtrohen trajnimeve specifike lidhur me dhunën ndaj grave, ndërsa zyrtarët e gjyqësorit të trajnohen në mënyrë specifike për obligimet që dalin nga Konventa e Stambollit.
Ndërkohë që me ligj duhet obliguar reagim prioritar të organeve të rendit në rastet e dhunës ndaj grave.

Po ashtu policia duhet pajisur me mjete adekuate për mbledhjen e provave në rastet e dhunës në mënyrë që provat në gjykatë të jenë të përdorshme e valide. Dhe për fund: Secili pjesëtar i shoqërisë, e veçanërsisht burrat duhet ta kuptojnë që gruaja është pjesëtare e barabartë e shoqërisë sonë. Nuk ka të drejtë as ligjore as zakonore që ajo të privohet nga jeta. Nuk mund të ketë arsye që të shtyn në këtë drejtim. Gruaja është qenie njerëzore e subjektivitet shoqëror. Nuk është e burrit.

Nuk është e vëllaut. Nuk është e babës. Është vetja e vet. Sikur të gjithë të tjerë