IPK tregon se si ia nxorën pamjet policit që e sulmonte të riun në stacionin policor

Gjatë vitit të kaluar, Inspektorati i Policisë së Kosovës ka pranuar 1650 ankesa nga qytetarët lidhur me shkeljen e detyrës zyrtare të zyrtarëve policorë.

Kushtrim Hodaj nga Inspektorati i Kosovës ka deklaruar se gjatë vitit pranojnë shumë ankesa nga qytetarët, qoftë në procesit e arrestimit ose gjatë intervistimit në stacionin policor.

“Gjatë 2020-s kemi pranuar 1650 ankesa, 200 ankesa ndërlidhen e punën e zyrtarëve policorë. Ky numër i ankesave është për 15 për qind më i madh se viteve të kaluara. Kjo është bërë për shkak të masave anti-COVID, që qytetarët janë ankuar me procesin e ndalimit nga Policia”, ka deklaruar Hodaj në Express të KTV-së.

Lidhur me rastin ku një zyrtar policor, Haris Kelmendi ka ushtruar dhunë ndaj një të ndaluari në stacion policor, Hodaj ka thënë se ishte tejkalim i kompetencave dhe pamjet e sulmit i kanë parë nga telefoni i një qytetari.

“Kemi kontaktuar prokurorin kompetent për rastin, më pas kemi pasur komunikatë ku njoftonte se ishte arrestuar një zyrtar gjatë kryerjes së detyrës. Kemi ndërmarrë veprime të menjëhershme. Ne e kemi identifikuar lehtë zyrtarin që ka përdorur forcë, më pas i kemi identifikuar edhe zyrtarët e tjerë”, ka potencuar ai.

Hodaj ka theksuar se Inspektorati i Policisë së Kosovës ka trajtuar të gjitha ankesat e qytetarëve mirëpo sipas tij, nuk është e lehtë të identifikohet kur dhuna ndodhë brenda stacionit policor.

“Ne si institucione kemi trajtuar të gjithë ankesat e qytetarëve nuk është e lehtë kur dhuna ndodhë brenda stacionit. Kemi bërë një inspektim të përdorimit të dhunës nga zyrtarët policorë. Rasti në fjalë dhe rastet e tjera janë vepra penale. Kjo formë e dhunë është e papranueshme dhe e patolerueshme”, ka thënë ai.

Hodaj ka theksuar se kanë reaguar edhe në momentet kur liderët politikë kanë shkelur masat anti-COVID.

“Gjatë zbatimit të masave kemi pranuar disa ankesa nga ana e qytetarëve për reagime selektive Të gjithë qytetarët duhet të trajtohen të barabartë. Kemi bërë suspendimin e 12 zyrtarëve policorë që nuk e kanë kryer detyrën e tyre në ndalimin e tubimeve të subjekteve politike” ka thënë ndër të tjera Hodaj.