Lajmi i fundit

IPK nis hetimet për sjelljen e policëve dje në protestën e PSD-së

Inspektorati policor i Kosovës ka nisur hetimet ndaj zyrtarëve të Policisë së Kosovës për të parë reagimin e tyre në protestën e djeshme të PSD-së.

Kjo pas ankesave nga ana e gazetarëve që janë gjuajtur me gaz lotsjellës nga policia.

IPK njoftoi se do të analizojë pamjet që janë publikuar.

“Hetuesit e IPK-së sipas detyrës zyrtare (ex officio) kanë filluar një hetim preliminar për të vlerësuar reagimin policor në menaxhimin e protestës së djeshme në Prishtinë që ndërlidhet me vizitën e Kryetares së Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale. Lidhur me reagimin policor gjatë menaxhimit të protestës ka pasur ankesa dhe reagime publike edhe nga gazetarë të ndryshëm si dhe vet Asosiacionit të Gazetarëve të Kosovës. Hetuesit e IPK-së aktualisht janë në fazën e grumbullimit të informacioneve dhe analizimit të pamjeve të ndryshme përfshirë edhe ato që tashmë janë publikuar”, thuhet në reagim.