IPK nis hetim për policin e Kosovës që shpërndau postimin ku UÇK-ja cilësohej kriminale

Pas shkrimit se një polic i Kosovës ka shpërndarë në rrjetet sociale një shkrim në të cilin Ushtria Çlirimtare e Kosovës, quhet kriminale, institucione që merret me shkeljet e zyrtarëve policor ka nisur procedurat lidhur me këtë rast.

Inspektorati Policor i Kosovës, ka iniciuar rast. IPK ka kërkuar nga Policia të trajtim në aspektin disiplinor.

“Duke ju referuar kërkesës suaj ju njoftojmë se IPK pas publikimit të këtij lajmi në medie sipas detyrës zyrtare ka iniciuar rast të cilin e ka përcjellë në Policinë e Kosovës për verifikim nëse personi në fjalë është zyrtar policor dhe trajtim të të njëjtit rast pastaj në aspektin displinor administrative”, thuhet në përgjigjen e IPK-së për Gazetën Reporteri.net.

Më 9 prill u bënë 22 vite nga Beteja e Koshares dhe nga betejat që cilësohet si më të suksesshmet të luftës së Kosovës.

Për këtë betejë, në çdo përvjetor vazhdojnë të shkruajnë edhe serbe. Një faqe në Facebook e quajtur Graçanica-Kim së fundmi ka publikuar një shkrim rreth betejës së Koshares ku Ushtria Çlirimtare e Kosovës etiketohet si ushtri kriminale.

“Njëzet e dy vjet më parë, filloi beteja e Koshares. Beteja në kufirin jugosllavo-shqiptar që zgjati 67 ditë, një betejë që mori 108 jetë, vëllezër, heronj të Obiliqit. Një nga betejat më të vështira në historinë e fundit të ushtrisë serbe që u bë simbol i mbrojtjes së atdheut. Të Premten e Madhe, atë 9 Prill, forcat kriminale të të ashtuquajturës Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ushtria e rregullt e Shqipërisë dhe NATO-s e udhëhequr nga Amerikanët, të cilët dhanë mbështetje ajrore, filluan një ofensivë të madhe në karaulën e Koshares, në kufirin e atëhershëm të Jugosllavisë dhe Shqipërisë.

Armiku në atë kohë ishte shumë herë më superior, kështu që rreth 1500 ushtarë serbë u mbrojtën nga sulmi i hordhive, të cilat numëronin midis 5,000 dhe 6,000 shqiptarë”, thuhet ndër të tjera në tekstin e publikuar nga kjo faqe.

Këtë shkrim ku UÇK cilësohet si ushtri kriminale e ka shpërndarë edhe një polic serb i Kosovës.

Aleksandar Trajkovic edhe në përshkrimin e tij e tij në Facebook ka të shkruar se punon si polic në Policinë e Kosovës.

Kujtojmë se disa zyrtarë policorë janë suspenduar për arsye të postimeve apo komenteve që i kanë bërë në rrjetet sociale, e që është vlerësuar se mund të dëmtojnë imazhin e policisë.