Invalidi i luftës kërkon ndihmë, rrezikon të mbetet pa kulm mbi kokë

Shumë prej atyre që dhanë në luftë edhe gjymtyrët e trupit për lirinë tonë, vazhdojnë të përballen me luftën e rëndë të mbijetesës. I tillë është rasti i Aldaid Hazirajt nga Istogu, ish-pjesëtarit të UÇK-së, i cili e humbi këmbën në luftë, por tani ka filluar ta humbë edhe shpresën për jetë. Ai kërkon ndihmë.

Po e shpreh gjithë dhembjen që ka. Aldaid Haziraj nga Istogu, dikur pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tani  përballet me kushte të vështira ekonomike. Përveç problemeve shëndetësore, ai përballet edhe me mungesën e ilaçeve, meqë në luftë e humbi njërën këmbë.

“Kushtet janë nër zero, morfinen e përdori kundër dhimbjeve 15 deri 20 maksimumi për kundër dhimbjeve sepse kam dhimbje”, thotë Aldaid Haziraj.

Haziraj deri më tash është operuar 20 herë!

Ditë më parë, përmbaruesi i kërkoi lirimin e banesës e cila nuk është tij, edhe pse kushtet brenda saj  janë të mira. Afatin e fundit për ta liruar e ka deri në fund të vitit.

“Një i Klinës e ka ble këtë banesë, kur kam hy në të nuk kam paguar habitat se kanë thënë është pronë e komunës qysh e ka bo ai zgjidhjen nuk e di, me gojë e kemi bërë që deri në vit të ri me ndejt këtu dhe pas vitit të ri me liru”, thotë ai.

Ai ka kërkuar nga pronari që mos ta dëbojë derisa ta bëjë një zgjidhje, por kërkesa i është refuzuar.

Organizata e veteranëve në Istog ka bërë kërkesë për ndihmë edhe në institucionet shtetërore, por deri më tash nuk ka ndonjë veprim.

Numri kontaktues i Aldaid Hazirajt për ndihmë është 049 853 112 (Fondacioni humanitar Avni Hyseni).