Interpoli kap 17 mijë teste të rreme të COVID-19

Janë kapur gjithsej 17 mijë teste false për coronavirus, njoftoi sot Interpoli.

Kjo u bë në një operacion të gjerë ndërkombëtar kundër kontrabandës së pijeve, ushqimit dhe produkteve mjekësore potencialisht të rrezikshme.

Në operacionin e kryer nga Interpoli dhe Europoli në 77 vende midis dhjetorit 2019 dhe qershorit 2020, u kapën më shumë se 12 mijë ton mallra me vlerë 40 milionë dollarë, transmeton Telegrafi.

Sipas Agjencisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, 19 organizata kriminale u shpërbën dhe 407 persona u arrestuan, shkruan afp.

Përveç testeve të rreme për coronavirusin, u kapën edhe produkte të kontaminuara të qumështit, mish të kafshëve të mbytura në mënyrë të paligjshme dhe produkte mjekësore të falsifikuara.

Operacioni, i quajtur “Opson”, i cili është organizuar çdo vit për nëntë vjet, ka bërë të mundur parandalimin e tregtisë me mallra të tjerë të falsifikuar, si kozmetikë, veshje, duhan, këpucë, si dhe produkte elektronike me vlerë totale prej 3.1 milionë dollarëve.