INTERPOL, dita e fundit e Kosovës për aplikim
Republika e Kosovës sot e ka afatin e fundit për aplikim në Interpol.
Nëse deri në orën 16:00 nuk aplikon, atëherë Kosovës më nuk do i pranohet aplikacioni, transmeton Ballkani.info.
“Dje Ministri i Brendshëm ka fol me Kryeministrin dhe jozyrtarisht i kemi dy informacione të ndryshme. Megjithatë, ende zyrtarisht nuk jemi të njoftuar nëse ka aplikuar dje Zyra e Kryeministrit, sepse Ministria e Brendshme nuk ka dërguar ende aplikacion”, ka thënë një burim brenda kësaj ministrie për Ballkani.info.
Në fundvitin e kaluar, Kosova kishte dështuar të anëtarësohej në Interpol për shkak të fushatës agresive të Serbisë, ku si rrjedhojë u ishte vendosur taksë 100 për qind në produktet me origjine serbe dhe boshnjake.
Kjo taksë pritet të pezullohet përkohësisht këto ditë për t’i dhënë rast dialogut dhe zgjidhjes paqësore të të gjitha çështjeve të hapura me Serbinë. /Ballkani.info/