Interi ndjek mbrojtësin shqiptar

Marash Kumbulla është një nga zbulimet e kampionatit italian në këtë sezon, pasi ka arritur të fitojë një fanellë titullari te skuadra e Veronës, ku ka luajtur për 9 takime dhe ka shënuar edhe një gol, duke qenë një shtyllë në prapavijën e ekipit.

Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, që është vetëm 19 vjeç, ka tërhequr vëmendjen e shumë klubeve, kryesisht në Itali, ku nuk mungojnë emrat e mëdhenj si Napoli, Interi, Juventusi e Milani, që janë gati të “bllokojnë” kartonin e Kumbullës.

Ka qenë vetë menaxheri i këtij të fundit, Gianni Vitali, që në një intervistë të dhënë për mediat italiane, ka zbuluar se Interi po ndjek nga afër ecurinë e Kumbullës dhe se ka marrë edhe informacionet paraprake prej tij.

“Interi po e ndjek dhe monitoron me kujdes ecurinë e Kumbullës, ashtu siç bën me shumë të rinj në Itali dhe në botë. Momentalisht nuk ka një negociatë mes zikaltërve dhe Veronës, por diçka pritet të ndodhë në javët në vijim. Nuk ka një çmim për kartonin e Kumbullës, pasi nuk ka pasur ende oferta zyrtare, sepse çmimin e vendos tregu”, deklaroi Vitali.