Interi mendon për pasuesin e Handanovicit, transferon talentin brazilian

Interi gjen portierin e së ardhmes. Bëhet fjalë për brazilianin Gabriel Brazao, që shihet si trashëgimtari i Samir Handanovic.

Drejtuesit zikaltër mësohet se e kanë mbyllur marrëveshjen për gardianin e ri të Cruzeiros, i datëlindjes 2000, që po i mahnit të gjithë me paraqitjet e tij.

Një operacion që do t’u kushtojë arkave të Interit 2.5 milionë euro. Në fakt, futbollisti nuk do t’u bashkohet menjëherë zikaltërve, pasi do të huazohet te Chievo deri në fund të sezonit, para se të firmosë kontratë 5-vjeçare me klubin italian.

Një goditje e rëndësishme dhe e perspektivës, pasi Brazao konsiderohet një nga talentet më të spikatur në qarkullim në rolin e portierit.

Firmosja e marrëveshjes do të ndodhë në Kili, aty ku portieri në fjalë është i angazhuar më përfaqësuesen U-20 të Brazilit.