Interi, favorit për transferimin e Kumbullës

Interi raportohet se e ka shtuar interesimin për mbrojtësin shqiptar të Hellas Veronas, Marash Kumbullës, për të cilin thuhet se janë të interesuar edhe Napoli, Lazio, Fiorentina, Manchester Unitedi dhe Chelsea.

Futbollisti 20-vjeçar i Kombëtares së Shqipërisë e ka kaluar të gjithë karrierën e tij duke luajtur për Hellas Veronën dhe tani është duke e shijuar sezonin e tij debutues në Serie A, me një gol të shënuar në 18 ndeshje.

Sipas Sky Sport Italia, Interi tashmë e ka bërë një plan për transferimin e qendërmbrojtësit dhe është i gatshëm të investojë për transferimin e tij sapo të hapet afati kalimtar i verës.

Interi do t’i ofrojë 20 milionë euro plus 5 milionë euro të tjera në formë bonusesh të varura nga paraqitjet e tij potenciale në San Siro. Megjithatë, kjo ofertë është nën çmimin që po e kërkon Verona, 30 milionë euro.

Napoli ka qenë afër të arrijë marrëveshje me klubin, megjithatë mediumet italiane raportojnë se gjiganti italian e ka pasur të pamundur të arrijë marrëveshje edhe me vetë futbollistin.

Lazio, Fiorentina, Manchester Unitedi dhe Chelsea thuhet se janë gjithashtu të interesuara për Kumbullën, bashkë me disa klube të Bundesligës, mirëpo Interi tani po cilësohet si favoriti për transferimin e tij.