Inteligjenca amerikane: Rusia po bën gati listën e politikanëve që do t’i eliminojë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë thënë se Rusia po krijon listë të figurave politike ukrainase dhe të kundërshtarëve të tjerë politikë që do të jenë cak i arrestimeve apo vrasjeve në rast se e sulmon Ukrainën, ka raportuar të premten Foreign Policy.

Katër burime i kanë thënë mediumit prestigjioz se nëse Rusia vazhdon me planet për ta pushtuar Ukrainën, ajo do të synojë eliminimin e kundërshtarëve të shquar politikë, aktivistëve kundër korrupsionit dhe disidentë bjellorusë e rusë.

Ndërkaq një zyrtar i pestë ka thënë se SHBA-ja i ka ndarë informacionet me zyrtarë qeveritarë të Ukrainës dhe partnerët tjerë në rajon.

“Siç e kemi parë në të kaluarën, ne presim që Rusia të përpiqet të detyrojë bashkëpunimin nëpërmjet frikësimit dhe shtypjes. Aktet, të cilat në operacionet e kaluara ruse kanë përfshirë vrasje, rrëmbime me forcë, ndalime e përdorim të torturës, ka mundësi që t’i kenë për cak ata të cilët i kundërshtojnë veprimet ruse, aktivistët, popullsinë e cenueshme si minoritetet fetare dhe etnike dhe komunitetin LGBTQI+”, ka thënë ai.

Raportimi vjen pasi Sekretari Amerikan, Antony Blinken, paralajmëroi se Rusia do të ketë për cak të arrestimit apo vrasjes kundërshtarët politikë.