Instituti GAP

Instituti GAP: Tërheqja e kursimeve nga Trusti mund të prodhojë kundërefekt në ekonomi

Instituti GAP ka publikuar raportin “Ndikimi i luftës në Ukrainë në ekonominë e Kosovës”, ku thuhet se lufta në Ukrainë ka ndikuar në rritje të ndjeshme të çmimeve të produkteve bazë.

Sipas një komunikate të GAP, Rusia dhe Ukraina janë ndër eksportuesit më të mëdhenj në botë të disa produkteve kryesore bazike sikurse grurit, misrit, gazit, naftës, vajit dhe fertilizuesve, ku së bashku kanë nga 10 deri në 40% pjesëmarrje në eksportin botëror të këtyre produkteve.

“Evropa, veçanërisht, del të jetë e varur nga Rusia në furnizimin me gaz në shkallën prej 44% të importit vjetor; qymyr 54%; dhe naftë 26%. Ngjashëm, rezervat e grurit në botë janë të pamfjatueshme që ta zëvendësojnë furnizimin nga Rusia për shkak të rendimentit të ulët në periudhën 2021-2022, në vende sikurse Kanada dhe SHBA, por edhe për shkak të tendencës së shteteve si Argjentina që të kufizojnë sasinë e grurit të eksportuar, pasi që synojnë të mbrohen nga inflacioni i brendshëm. Të gjitha këto japin indikacion për rritje të ndjeshme të çmimeve të produkteve bazë përgjatë tërë vitit 2022, me pritshmëri që të mbesin të njëjta edhe në periudhën afatmesme. Kosova është neto importuese e energjisë elektrike, naftës, grurit, misrit, vajit, dhe zhvillimet në tregjet ndërkombëtare pasqyrohen drejtpërdrejtë në ekonominë e vendit tonë. Edhe pse Kosova ka një pavarësi energjetike në një shkallë të lartë, vitin e kaluar kishte një rritje të theksuar të importit dhe kërkesës për energji, ku gjithsej kosto e këtij importi ishte rreth 155 milionë euro. Për më shumë, të dhënat nga Dogana e Kosovës tregojnë se kërkesa për naftë në Kosovë nuk ka ndryshuar dy vitet e fundit, edhe pse kishte rritje të ndjeshme të çmimit. Pra, pavarësisht rritjes së madhe të çmimit të naftës në Kosovë, kërkesa mbetet shumë e lartë. Po ashtu, ekonomia e vendit tonë ndikohet edhe nga rritja e çmimeve të importit të produkteve ushqimore dhe lëndës së parë”, thuhet në komunikatë.

Lidhur me situatën aktuale, Instituti GAP rekomandon që politikat e qeverisë duhet të jenë të atilla që nuk e stimulojnë kërkesën për këto produkte.

“Në këtë pikë, reduktimi i normave tatimore në të ardhurat personale për të gjithë qytetarët dhe mbështetja e nismave sikurse ajo për tërheqjen e 30% të kursimeve nga Trusti pensional, mund të prodhojnë kundërfekte në ekonomi. Është e rëndësishme që qeveria me të hyrat e arkëtuara përtej planifikimit, si rezultat i çmimeve të larta, të mbështesë edhe më shumë grupet më të pa mbrojtura të shoqërisë, që rrezikojnë të bien në varfëri, sikurse qytetarët që janë pjesë e Skemës së Ndihmës Sociale, ata që mund të humbin vendet e punës, etj. Subvencionimi në fushën e bujqësisë në Kosovë dhe ulja e normës së akcizës për naftë për bujqit gjatë vitit 2022, dalin të jenë masa adekuate në mbulimin e rrezikut që bujqit të mos rrisin prodhimin e këtyre kulturave këtë vit, dhe një mbështetje e tillë duhet të bëhet në vazhdimësi deri në normalizimin e çmimeve. Institucionet duhet të konsiderojnë zgjedhjen e strategjive mbrojtëse për energji elektrike këtë vit, marrë parasysh indikacionet për çmime të larta të importit të energjisë elektrike edhe në periudhën afatmesme”, thuhet në komunikatë.

Raportin e plotë mund ta lexoni duke klikuar KËTU.