Institucionet paralele të Serbisë që funksionojnë lirshëm në Kosovë

Mijëra qytetarë serbë të Kosovës vazhdojnë punën në institucione paralele, të financuara dhe menaxhuara nga shteti i Serbisë, që nga paslufta më 1999.

Serbia ndan dhjetëra-miliona euro për to çdo vit.

Komuna, kompani e ndërmarrje publike, çerdhe, shkolla fillore, të mesme, si dhe universitete publike, të financuara drejtpërdrejt nga Qeveria e Serbisë, ka në shumë qytete të Kosovës, ku jetojnë pjesëtarë të komunitetit serb.

Këta mekanizma, edhe pse jolegalë sipas ligjeve të Kosovës, nuk janë ndalur së vepruari, pavarësisht se Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008.

Një marrëveshje për shuarjen e tyre është arritur në prill të vitit 2013, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi për normalizimin e marrëdhënieve, por zbatimi i saj i plotë në terren lë për të dëshiruar.

Një pjesë e komunitetit është integruar vetëm në disa institucione, si policia apo gjyqësia.

Në kuadër të dialogut, Kosova dhe Serbia janë pajtuar edhe për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që do të kishte “juridiksion të plotë” në fusha të caktuara, si: planifikimi hapësinor, shëndetësia, arsimi, zhvillimi ekonomik e kështu me radhë.

Megjithatë, Qeveria e Kosovës nuk e ka zbatuar kurrë këtë marrëveshje, me arsyetimin se mund ta kërcënojë funksionalitetin e shtetit.

Në një takim në Ohër, më 18 mars, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë pajtuar për zbatimin e një marrëveshjeje të re drejt normalizimit, të mbështetur nga Bashkimi Evropian.

Kjo marrëveshje, mes tjerash, parasheh që komunitetit serb në Kosovë t’i sigurohet një “nivel adekuat i vetëmenaxhimit”.

Saktësisht se për çfarë bëhet fjalë, nuk dihet ende.

Në një raportim para Kuvendit të Kosovës, më 23 mars, Kurti ka thënë se “vetëmenaxhimi nuk është as vetëqeverisje, as vetadministrim” dhe ka shtuar se nuk mund t’iu shmanget marrëveshjeve të mëhershme me Serbinë.

Por, ku gjenden këto struktura dhe si funksionojnë?

Sipas të dhënave publike të Qeverisë së Serbisë, në territorin e Kosovës, Serbia ka mbi 20 komuna paralele aktive.

Disa prej tyre kanë pak staf, por ato më të mëdhatë, si komuna paralele e Prishtinës me seli në Gracaniçë apo komunat paralele në veriun me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – kanë staf më të madh dhe kryejnë detyra të përditshme, ngjashëm si komunat zyrtare dhe të ligjshme të krijuara nga institucionet e Kosovës.

Duke qenë se komuna paralele e Prishtinës është më e madhja në Kosovë, REL-i ka vizituar objektin e saj në Graçanicë, por aty nuk është lejuar qasja e as fotografimi.

Kohë më parë, REL-i ka vizituar edhe komunën paralele serbe në Zveçan. Ajo është në të njëjtin objekt me Komunën e Zveçanit, të krijuar nga institucionet e Kosovës.

Në disa raste, kryetarët dhe stafi serb janë të njëjtë – punojnë edhe për sistemin e Kosovës, edhe për atë të Serbisë.

Qeveria e Serbisë emëron rregullisht persona në poste udhëheqëse në komunat e saj paralele në Kosovë.

Këto janë disa nga vendimet e nënshkruara nga kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, për komunën paralele të Prishtinës dhe atë të Suharekës:

Më 23 korrik, 2021, Qeveria e Serbisë emëroi drejtues dhe anëtarë në këto 16 komuna paralele në Kosovë: Kaçanik, Skenderaj, Fushë Kosovë, Shtime, Deçan, Podujevë, Prishtinë, Dragash, Vushtrri, Istog, Pejë, Gjakovë, Rahovec, Zveçan, Suharekë, Leposaviq.

Mbi 70 shkolla të Serbisë në Kosovë

Që nga përfundimi i luftës së viteve ‘98-‘99 e deri më sot, Serbia ka ruajtur sistemin e saj arsimor në Kosovë. Më shumë se 70 shkolla të të gjitha niveleve, të menaxhuara e financuara nga Serbia, funksionojnë në territorin e Kosovës.

Ato kanë plan-programet e tyre. Për shembull, një nxënës serb i klasës së dytë mëson nga i njëjti libër sikurse një nxënës i klasës së dytë në Serbi.

Disa përpjekje të institucioneve të Kosovës për t’i integruar këto shkolla në sistemin e arsimit të Kosovës, kanë rezultuar të pasuksesshme.

Serbia udhëheq edhe universitete në Kosovë. Universiteti paralel i Prishtinës ndodhet në Mitrovicë të Veriut.

Ai nuk i jep llogari shtetit të Kosovës dhe nuk ka fare lidhje me sistemin arsimor në Kosovë. Financohet dhe menaxhohet nga Ministria e Arsimit e Republikës së Serbisë.

Numri i saktë i punëtorëve të arsimit që punojnë në sistemin paralel të Serbisë në Kosovë, nuk është publik.

Sistemi paralel i shëndetësisë

Ambulanca, spitale dhe qendra të tjera shëndetësore financohen dhe menaxhohen nga shteti i Serbisë në pjesë të ndryshme të territorit të Kosovës.

Qendra të mjekësisë familjare ka në shumicën e fshatrave ku jeton komuniteti serb.

Spitalet më të mëdha të financuara dhe menaxhuara nga Serbia, janë tri: në Mitrovicë të Veriut, në Graçanicë dhe në fshatin Pasjan të Gjilanit.

Numri i saktë i punëtorëve shëndetësorë që punojnë në institucione të tilla, nuk është publik.

Zyrat për punësim, pensione dhe sigurime shëndetësore

Serbia mban aktive edhe një numër të madh zyrash për punësim në Kosovë.

Një e tillë është në Graçanicë, ku më 21 mars kishte qytetarë të shumtë që merrnin shërbime.

Zyra të tilla paralele operojnë edhe në qytete të tjera të Kosovës, por më aktivet janë ato në komunat veriore: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Në tabelën në hyrje të objektit shkruan: Qendra Nacionale për Punësim, Zyra krahinore për punësim, Kosovë dhe Metohi, Dega Prishtinë.

Në Graçaninë dhe komuna të tjera me shumicë serbe funksionojnë, po ashtu, zyra për pensione të Republikës së Serbisë.

Serbia ka në Kosovë edhe zyra për sigurime shëndetësore, pasi çdo serb i Kosovës, sipas ligjeve në Serbi, ka të drejtën e sigurimit shëndetësor.

Posta e Serbisë, funksionale në Kosovë

Aktiviteti i Postës së Serbisë nuk është shumë i dukshëm në Kosovë, por para objektit të saj në Graçanicë shihen dhjetëra vetura të parkuara të këtij institucioni paralel.

Posta e Serbisë funksionon, po ashtu, pa pajtimin e institucioneve të Kosovës.