KDI

Institucionet e Kosovës pa vullnet për progres, Cakolli: Qeveria ende nuk ka një vizion të qartë për luftimin e korrupsionit

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) mbajti konferencë për media, ku shpalosi vlerësimet e saj lidhur me situatën me luftimin e korrupsionit dhe qeverisjes demokratike në Kosovë, bazuar në vërejtjet e Raportit të BE-së për Kosovën, për vitin 2023.

Gjatë konferencës u ofruan rekomandime që do të mund të përmirësonin gjendjen sa i përket luftës kundër korrupsionit, reformës në drejtësi, prokurimit publik, sinjalizimit, punës së Kuvendit të Kosovës dhe dialogut me Serbinë.

Fillimisht, u potencua që Raporti i BE-së për Kosovën ka evidentuar pak progres, e shumë sfida dhe mangësi në shumicën prej fushave, sidomos sa i përket demokratizimit dhe sundimit të ligjit. Për më tepër, stagnimet e evidentuara në raport shpërfaqin një problematikë serioze të Kosovës – e cila pavarësisht ndërrimit të qeverisjeve, po ballafaqohet me probleme të përsëritura në raport me vlerat e qeverisjes demokratike, sundimit të ligjit dhe integritetit publik.

Lufta kundër korrupsionit

Eugen Cakolli nga KDI theksoi se stagnimi në raport me luftimin e korrupsionit buron drejtpërdrejt nga performanca dhe efikasiteti shumë i dobët i gjyqësorit. Mostrajtimi adekuat i rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë ka ardhur si rezultat i hetimeve joefikase dhe aktakuzave jocilësore nga ana e prokurorisë, si dhe zvarritjeve të trajtimit të lëndëve nga gjykatat.

Gjatë këtij viti, rastet e korrupsionit janë karakterizuar nga një trend shqetësues i mosdënimit apo parashkrimit. Por, pavarësisht dështimeve në trajtimin e rasteve të korrupsionit, llogaridhënia e gjyqësorit dhe prokurorisë është e mangët – që ilustrohet nga mungesa e vendimeve për shkarkimin e ndonjë gjyqtari apo prokurori për shkak të performancës së dobët.

Problem tjetër i sektorit të drejtësisë u tha se mbetet mungesa e konfiskimit të pasurisë së kundërligjshme, ku vërehet një diskrepancë mes pasurisë së sekuestruar dhe asaj të konfiskuar.

Kultura e mosndëshkueshmërisë për vepra korruptive ka bërë që edhe zyrtarë të lartë publik – përfshirë ministra, zëvendësministra, deputetë, ambasadorë e udhëheqës të ndërmarrjeve publike – të dyshuar për korrupsion, të vijojnë të mbajnë pozitat e tyre, në kundërshtim me parimet themelore të integritetit të qeverisjes, që janë proklamuar vazhdimisht nga vet qeveria aktuale.

Cakolli theksoi që Qeveria ende nuk ka një vizion të qartë për luftimin e korrupsionit, me faktin që edhe pse kanë kaluar dy vite qeverisje, ende nuk ka një Strategji kombëtare Kundër Korrupsionit. Çalime serioze ka në zbatimin e Strategjisë për Sundimin e Ligjit dhe Deklaratës së përbashkët mes Ministrisë së Drejtësisë dhe krerëve të institucioneve të drejtësisë për reformën në drejtësi.

Ky vit është karakterizuar nga ndërhyrje dhe sulme të vazhdueshme të ekzekutivit ndaj institucioneve të drejtësisë që janë bërë në forma e për arsye të ndryshme, duke përfshirë uljen e pagave, atakimin e procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit, si dhe sulmeve ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve për raste gjyqësore.

Luftimi i korrupsionit nuk është mbështetur si duhet as në aspektin e resurseve financiare e njerëzore. Institucionet dhe agjencitë e angazhuara në parandalim dhe luftim të korrupsionit, si Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, ndonëse i janë shtuar kompetencat në parandalim të korrupsionit dhe është rritur ndjeshëm numri i subjekteve deklaruese, kjo nuk është përkthyer në shtim të resurseve financiare dhe njerëzore.

Ndërsa, sa i përket kontrollit financiar të subjekteve politike, u tha që edhe një vit pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri, Zyra për Kontroll Financiar të Subjekteve Politike nuk është konsoliduar në aspektin organizativ, buxhetor apo atë ligjor. Cakolli potencoi që Zyra nuk ka rekrutuar 70% të stafit dhe ka pasur vetëm tre auditorë për kontroll të raporteve financiare të partive.

Prokurimi Publik

Sa i përket luftimit të korrupsionit në shpenzimin e parasë publike, Diana Metushi-Krasniqi shtoi se, raporti i BE-së për Kosovën konfirmon për disa vite me radhë stagnime serioze në fushën e prokurimit publik duke theksuar se nuk ka progres në përmbushjen e rekomandimeve nga viti në vit.

Kapaciteti i dobët i institucioneve për të administruar prokurimin publik, monitorimin dhe zbatimin e kontratave, si dhe sistemet e dobëta të mjeteve juridike, vazhdojnë të theksohen si një problem për vite me radhë.

Për më shumë, raporti ngrit shqetësime për rritjen e theksuar të përdorimit të procedurave të mbyllura. Një theks i veçantë i është vënë shpenzimeve të parave publike përmes procedurave të negociuara pa publikim paraprak në vlerë prej 78.56 milion.

KDI ngrit shqetësime se përderisa shpenzimet publike përmes prokurimit kanë pësuar ulje të konsiderueshme tre vitet e fundit, përdorimi i kësaj procedure ka treguar një trend të rritjes e që e tejkalon prej rreth 38% përdorimin e saj në kohë të pandemisë [2020], e cila në kohë emergjence kishte arritur vlerën prej 56.8 milion euro, respektivisht rreth 21.7 milion euro më pak. Metushi-Krasniqi u bëri thirrje institucioneve gjegjëse që urgjentisht të fillojnë monitorimin dhe kufizimin e përdorimit të panevojshëm të tyre.

Tutje ajo shtoi se Kosova ende nuk e ka përafruar legjislacionin e saj me Acquis të BE-së, nuk ka treguar asnjë zhvillim në fushën e integritetit dhe luftës kundër korrupsionit. Po ashtu edhe Agjencia Qendrore e Prokurimit vazhdon të ketë mungesë të personelit dhe si pasojë ajo nuk siguron ekonomicitetin e shkallës që pritet nga prokurimi i centralizuar.

Ajo i bëri thirrje Qeverisë që të ndërmarr hapa konkret drejt finalizimit të reformës në prokurimin publik, që ka filluar qysh në 2019.

Sinjalizimi – kërkesë formale apo forme për luftimin e korrupsionit

Duke iu referuar rëndësisë së sinjalizimit në luftimin e korrupsionit, Albesa Humolli-Geci tha se në 2023 ka pasur avancim të kornizës ligjore për mbrojtjen e sinjalizuesve por që zbatimi praktik i këtij ligji është shumë i mangët, edhe nga institucionet publike edhe nga ato private.

Nga monitorimet dhe intervistat e zhvilluara me zyrtarët e institucioneve publike, KDI ka gjetur se zbatimi i këtij ligji në institucionet publik është më tepër i orientuar në drejtim të përmbushjes së kërkesave formale ligjore për caktimin e zyrtarit përgjegjës për sinjalizim në institucione sesa që njëmend ka për qëllim të promovojë sinjalizimin si vlerë për luftimin e korrupsionit në institucionet publike në Kosovë.

Humolli theksoi se zyrtarët e institucioneve publike të intervistuar nga KDI kanë deklaruar se korrupsioni është prezent në institucionet publike në Kosovë, mirëpo mungon vullneti si dhe guximi i zyrtarëve për ta denoncuar atë.

Problematikë në këtë drejtim shihet mungesa e informatave në lidhje me sinjalizimin në institucione publike, duke filluar nga mungesa e informacioneve në lidhje me caktimin e zyrtarit përgjegjës për sinjalizim – mos publikim i të dhënave të zyrtarit ku mund të sinjalizohet, kushtet teknike për sinjalizim – mungesa e zyrës dhe frika nga zbulimi i identitet të sinjalizuesit, mungesa e trajnimeve mbi sinjalizimin dhe mungesa e promovimit të sinjalizimit si vlerë në shërbim të luftimit të korrupsionit në kuadër të institucioneve.

Ajo theksoi se Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit si institucion i mandatuar për monitorimin e zbatimit të legjislacionit për mbrojtjen e sinjalizuesve duhet të bëjë vlerësime të rregullta dhe monitorim sistematik të zbatimit të kërkesave ligjore nga ana e institucioneve, të zbatojë programe trajnimi për zyrtarët përgjegjës për sinjalizim si dhe të zhvillojë fushat avokimi për ndërgjegjësimin publik të qytetarëve në lidhje me raportimin në interes publik. Ndërsa është e domosdoshme të rriten edhe kapacitete financiare dhe humane të APK-së për të siguruar përmbushjen e mandatit të saj. Në anën tjetër, Humolli shtoi se institucionet publike përveç se duhet të përqafojnë kërkesat ligjore sa i përket mbrojtjes së sinjalizuesve, duhet edhe të kontribuojnë në drejtim të krijimit të një kulture të transparencës, llogaridhënie dhe sjelljes etike brenda institucioneve publike, duke promovuar sinjalizimin si vlerë në luftimin e korrupsionit.

Puna e Kuvendit të Kosovës

Kritikat për punën joefikase të Kuvendit përveç të ngritura nga KDI në vazhdimësi, kanë zënë hapësirë të theksuar në raportin për Kosovën.  Mungesat e pajustifikuara të deputetëve në seancat parlamentare dhe mbledhjet e komisioneve mbeten problematika kryesore, që po minon efikasitetin e këtij institucioni.

Në  mënyrë që Kuvendi të arrijë të përmbushë funksionin e tij, duhet të zbatojë mekanizmat në fuqi dhe të krijojë mekanizma shtesë që sanksionojnë sjelljen e papërgjegjshme të deputetëve. Në rastet kur deputetët mungojnë pa arsye në seanca Kryesia duhet të zbatojë Ligjin për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit për ndalim të kompensimit dhe shpenzimet mujore të deputetëve. Ajo shtoi se Kuvendi sa më parë duhet të rikthejë votimin elektronik i nevojshëm për fuqizimin e transparencës dhe llogaridhënies.

Dialogu Kosovë-Serbi

Ndërkaq, lidhur me dialogun Kosovë-Serbi, u tha se nuk është ofruar transparencë nga ana e Qeverisë. Qeveria duhet të ofrojë transparencë ndaj publikut dhe Kuvendit, dhe konferencat për shtyp pas takimeve te dialogut e takimet me liderët politik nuk mund të jenë zëvendësim për obligimet kushtetuese që Qeveria i ka ndaj Kuvendit si institucioni më i lartë mbikëqyrës. Mungesa e informacioneve krijon hapësirën për informacione jo zyrtare duke rritur kështu ndjenjën e pasigurisë te qytetarët.