Institucionet bëjnë thirrje për ndalimin e dhunës ndaj fëmijëve

Gjatë mbledhjes së sotme të Komisionit për të Drejtat e Njeriut , është lansuar fushata për Ndalimin dhe Ndëshkimin Trupor dhe Dhunës ndaj Fëmijëve.

Ajo është organizuar nga Organizata “Save the Children”, Organizata “Syri i Vizionit” në bashkëpunim me komisionin.

Gjatë tryezës, kryeparlamentari Kadri Veseli ka thënë se dhuna ndaj fëmijëve nuk do të duhej të ndodhte asnjëherë.

“Nëse kemi fenomene të tilla atëherë kemi të bëjmë me njerëz që kanë probleme dhe mbase me ta do të duhej të merrej psikiatri. Nuk mund ta paramendoj se si një prind mund të përdorë dhunë ndaj fëmijëve. Të ruhen fëmijët tanë në mënyrë që të mos kenë ndonjë deformim në personalitetin e tyre. Janë e ardhmja jonë”, ka thëne Veseli.

Sipas tij, institucionet relevante duhet të merren në vazhdimësi me këtë çështje, për të krijuar standarde të reja për parandalimin e kësaj dukurie.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, ka thënë se kjo fushatë është më se e rëndësishme, sepse po shfaqet një përkushtim institucional, që fëmijëve t’u garantohen të drejtat e tyre.

“Angazhimi në ruajtjen e shëndetit te mirëfilltë ndaj fëmijës do të duhej të ishte në vazhdimësi. Një numër i konsiderueshëm i fëmijëve kudo nëpër botë përjetojnë dhunë, disa deri në vdekje e disa me pasoja të përjetshme. Në bazë te studimeve të ndryshme, fëmijët që i predispozohen dhunës trupore janë të prirur për të mbetur me pasoja të rënda mentale e fizike”, ka thënë ai.

Reçica ka shtuar se kanë hartuar 22 standarde që parashohin mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.

Ndërkaq, Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, ka thënë se institucionet kompetente duhet të merren seriozisht me këtë fenomen.

Ai ka rekomanduar që të bëhen fushata ndaj abuzimit të fëmijëve, të angazhohen psikologë dhe pedagogë nëpër shkolla, si dhe të bëhet vetëdijesimi i stafit personal të shkollave për pasojat e dhunës ndaj fëmijëve.