Liza Gashi

Instalacioni “Thinking of you”, punuar nga artistja kosovare Alketa Xhafa – Mripa, u hap zyrtarisht në Hagë

Zëvendësministrja e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi së bashku me Nobelistin e Paqes, Dr. Denis Mukwege dhe nënkryetaren e Hagës, Mariëlle Vavier, morën pjesë në hapjen zyrtare të instalacionit “Thinking of You”, të artistes Alketa Xhafa-Mripa, në Hagë.

Në njoftimin e lëshuar për media nga MPJD thuhet se zëvendësministrja Gashi ka ndarë me të pranishmit përvojën e dhimbshme të Kosovës dhe popullit të saj, dhe faktit se mbi 20 mijë gra dhe burra u dhunuan gjatë luftës së vitit 1999 nga regjimi gjenocidal i Serbisë.

Nënkryetarja e Komunës së Hagës, Mariëlle Vavier, e cila mirëpriti të ftuarit në shtëpinë e paqes dhe drejtësisë, theksoi rëndësinë e kësaj ngjarje dhe mirëpriti bashkëpunimin me institucionet e Kosovës.

Artistja Alketa Xhafa – Mripa prezantoi para të pranishmëve idenë dhe ndikimin e kësaj vepre artistike. Ajo informoi të pranishmit rreth instalacionit dhe mbi fustanet që janë mbledhur nga mbi 25 vende të ndryshme të botës, e që janë shndërruar në një platformë të fuqishme për t’i dhënë zë të mbijetuarve të dhunës seksuale.