COVID-19

Inspektorët me orar të zgjatur me qëllim të zbatimit të masave

Në shumicën e komunave janë duke u zhvilluar aktivitete të shtuara të inspektimeve që nga hyrja në fuqi të masave të reja nga Qeveria e Kosovës në luftimin e pandemisë së krijuar nga Covid 19.

Gjatë veprimtarisë së Inspeksioneve komunale në bashkëpunim dhe koordinim me të gjitha institucionet e tjera të përfshira ditëve të fundit iu është kërkuar nga subjektet afariste të respektojnë masat e fundit e parapara me vendim nga Qeveria.

Janë shtuar aktivitetet sidomos në fushën e gastronomisë, ku komunat kanë kërkuar nga këto subjekte që të bëhet rregullimi i hapësirave të tyre për shërbim sipas masave të parapara në mënyrë që klientët të kenë distancën e kërkuar.

Gjithashtu së bashku edhe në koordinim me Policinë është kërkuar respektimin e orarit kohor të lejuar për veprimtari të këtyre subjekteve. Aktivitet i vazhdueshëm është duke u zhvilluar me kërkesa drejtuar qytetarëve që të bartin maskat gjatë gjithë kohës sipas masave të parapara.

Inspektorate komunale janë duke punuar me orar të zgjatur në të gjitha komunat e Kosovës me qëllim të zbatimit të masave për të luftuar me situatën e krijuar si pasojë e pandemisë Covid 19.

Inspektimet janë të përbashkëta në mes Inspektorëve Komunal, Inspektorëve të AVUK, Inspektorëve të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë dhe Policisë së Kosovës, dhe këto inspektime do të jenë të vazhdueshme deri në respektim të plotë të vendimeve të Qeverisë.

Këto inspektimet janë bërë në të gjitha komunat dhe kanë për qëllim të kenë një koordinim sa më të mirë në mesë të gjitha institucioneve të cilat janë bartëse në inspektim të masave antiCovid.