Mitrovicë

Inspektorët mbyllin mullirin në Zhabar të Mitrovicës për shkak të shtrenjtimit të miellit

Drejtoria e Inspeksionit në Komunën e Mitrovicës gjatë të martës ka mbyllur mullirin në fshatin Zhabar, për shkak se ka rritur çmimin e miellit, duke shfrytëzuar situatën e krijuar pas përhapjes së virusit COVID-19.

Kështu ka bërë të ditur përmes një komunikate, zyra për komunikim e kësaj Komune.

Inspektorët kishin gjetur se çmimi për 100 kg miell ka variuar nga 50 deri në 80 euro.

“Me këtë rast inspektorët komunal menjëherë kanë shqyrtuar ankesat e qytetarëve duke inspektuar këtë lokacion, ku kanë hasur në ngritjen e çmimit të miellit, për 100 kg çmimi ka variuar nga 50-80 euro”, thuhet në komunikatë.

Drejtoria e Inspeksionit të Komunës së Mitrovicës ka bërë të ditur se inspektorët vazhdimisht janë në terren dhe kanë paralajmëruar se ndaj të gjithëve do të merren masa ligjore.

“Drejtoria e Inspeksionit bën të ditur se Inspektorët komunal janë vazhdimisht në teren për të parë nga afër nëse bizneset bëjnë ngritjen e çmimeve, dhe ndaj atyre që manipulojnë me çmime të produkteve do të merren masa ligjore”, thuhet në komunikatë.