Inspektorati Policor nis hetime ndaj komandantit të Graçanicës, ekipi mjekësor u sulmua nga shoqëruesi i tij

Në mëngjes e djeshëm, gjatë dhënies së ndihmës një personi të lënduar në aksidentin që ndodhi ndërmjet fshatit Lapnasellë dhe Graçanicës, ekipi i ndihmës së shpejtë u sulmua nga një person, që ishte nën shoqërimin e komandantit të Policisë në Graçanicë.

Sulmin e kishte konfirmuar edhe mjeku Sasha Miriq, pasi që gjatë dhënies së ndihmës të lënduarit atë e kishte sulmuar D.J. nga Llapnasella.

“Derisa ishim duke i dhënë ndihmë, ndodhi që neve D.J., në fyente verbalisht, fillimisht mua. Më shau nënën dhe më pas me goditi me grusht në parakrahun e djathtë. Gjithçka ndodhi në praninë e policisë që ishte aty. Nuk e di se me çfarë të drejte ai person ishte me viktimën. Ishte në shoqërinë e komandantit të policisë, i cili ishte afër tij. Policia e qetësonte”, ka treguar Miriq, duke theksuar se D.J. ishte në gjendje të dehur, transmeton Demokracia.com.

Miriq e kishte raportuar rastin edhe në Policinë e Kosovës.

“E kam lajmëruar në polici (stacionin policor në Graçanicë), fillimisht më kanë thënë të vij të nesërmen, se nuk kanë patrullë. Më vonë, shefi i detyrës (policja) thirri sërish dispeçerin tim dhe më tha të vij pas orës shtatë. Pas kësaj kam thirrur 192 në Prishtinë, njerëzit kanë qenë korrekt, më kanë dëgjuar mirë, janë befasuar me sjelljen e stacionit policor në Graçanicë. Atyre u dërguan një kërkesë dhe pas rreth njëzet minutash u paraqit një ekip policor, të cilëve unë u dhashë deklaratën”, theksoi doktor Sasha Miriq.

Lidhur me këtë incident, Demokracia.com ka pyetur Inspektoratin Policor të Kosovës nëse do të merren masa ndaj komandantit të policisë në Graçanicë, pasi që shoqëruesi i tij e kishte sulmuar mjekun Sasha Miriq, ata kanë konfirmuar se kanë pranuar ankesë për këtë rast dhe e njëjta është duke u trajtuar.

“Duke ju referuar kërkesës suaj ju njoftojmë se Inspektorati Policor i Kosovës ka pranuar ankesë për rastin në fjalë dhe e njëjta është duke u trajtuar nga Departamenti për Menaxhimin e Ankesave. Veprimet tjera do të ndërmirren në përputhje me misionin ligjor të IPK-së”, thuhet në përgjigjen e IPK-së për Demokracia.com.

Në pyetjen e gazetarit të Qendrës Mediale se çfarë kishte bërë policia në Graçanicë në lidhje me këtë rast dhe nëse D.J. ishte arrestuar apo marrë në pyetje, komandanti i stacionit policor të Graçanicës, Bratislav Trajkoviq, kishte thënë se nuk ka qenë në punë dhe nuk e dinte se për çfarë bëhej fjalë.

Ndërsa, kur gazetari i kishte treguar se Miriq kishte deklaruar se ai personalisht (Bratislav Trajkoviq) ka qenë në shoqërinë e sulmuesit D.J., Trajkoviqit nuk i kujtohej ngjarja e mëngjesit të sotëm.

Ky është komunikimi mes gazetarit të Qendrës Mediale dhe komandantit të policisë në Graçanicë:

Gazetari: Mjeku na tha se D.J. ka qenë në shoqërinë tuaj dhe ju nuk keni reaguar, ai pretendon se e shau e goditi dhe se ju po qëndronit aty?

Bratislav Trajkoviq: Nuk kam qenë sot në punë, nuk e di për çfarë deklarate është.

Gazetari: Po ju pyes për mbrëmë, keni qenë në shoqërinë e D.J.

Bratislav Trajkoviq: Hajde, asgjë nuk është e vërtetë, kështu që unë isha atje dhe askush nuk e preku.

Gazetari: Mjeku pretendon se e shau dhe e goditi.

Bratislav Trajkoviq: Problemi i tij, problemi i tij le të pretendojë çfarë të dojë, askush nuk e preku.

Gazetari: A keni reaguar…?

Bratislav Trajkoviq: Po.

Gazetari: Çfarë keni bërë?

Bratislav Trajkoviq: Faleminderit, mirupafshim!

Shefja e Shërbimit Emergjent Mjekësor në Lapnasellë, Marina Mandiq, në një prononcim për Media Center ka thënë se ekipi mjekësor, pavarësisht sulmit, e ka kryer punën e vet në mënyrë profesionale. Sipas pretendimeve, për gjithçka është njoftuar edhe drejtori i Shtëpisë së Shëndetësisë në Graçanicë. Sipas Mandiqit, situata të tilla mund të rrezikojnë jetën e pacientit.

“Çdo sekondë e pacientëve të tillë është e çmuar për ne dhe për jetën e tyre. Është një pengesë në çdo drejtim. Falë Zotit, ekipi ynë qëndroi konsistent dhe në radhë të parë kujdesej për pacientin, duke mos dëgjuar histori boshe, ofendime dhe sulme fizike, edhe pse policia ishte aty”.

Marina Mandiq thekson se deri më tani nuk ka pasur asnjë sulm fizik ndaj mjekëve të këtij shërbimi.