Inspektorati

Inspektorati Policor merr pjesë në konferencë kundër korrupsionit në Austri

Konferenca po mbahet në Rust të Austrisë
Kryeshefja e Inspektoratit Policor të Kosovës, Miradije Kelmendi, me bashkëpunëtorë po merr pjesë në konferencën profesionale të radhës të EPAC-ut (European Partners Against Corruption – Partnerët Evropian Kundër Korrupsionit), e cila po mbahet në Rust të Austrisë.

Në këtë konferencë po marrin pjesë mbi 30 delegacione të institucioneve të mbikëqyrjes policore dhe agjencive kundër korrupsionit nga shtete evropiane, si dhe përfaqësues nga EUROPOL dhe INTERPOL.

Në kuadër të punimeve, në konferencë po diskutohen dhe trajtohen tema të rëndësishme që kanë të bëjnë me fuqizimin e luftës kundër korrupsionit, fuqizimin e sundimit të ligjit si dhe rritja e bashkëpunimit në mes agjencive të ndryshme të zbatimit të ligjit, sidomos të agjencive mbikëqyrëse policore.

Në kuadër të agjendës së paraparë do të mbahen punëtori të ndryshme që në mes tjerash do të trajtojnë tema si: të drejtat e njeriut në kontekst të luftës antikorrupsion, integriteti evropian, sistemi i ankesave etj.

Përfaqësuesit e delegacionit të Kosovës në këtë konferencë po zhvillojnë takime të ndara me shumicën e delegacioneve pjesëmarrëse nga shtetet e Evropës me qëllim të njohjes dhe shkëmbimit të praktikave të mira në forcimin e sundimit të ligjit.