Inspektorati Policor konfirmon arrestimin e policit, jep detaje të reja për aksionin

Inspektorati Policor i Kosovës sapo ka kryer dy arrestime në qendër të Prishtinës.

Është mësuar se në pranga ka përfunduar Lavdim Osmani, udhëheqës i Krimeve Ekonomike në Prishtinë dhe një qytetar.

Lajmin e ka konfirmuar edhe Arbër Beka, zëdhënësi për media i Inspektorati.

“Arrestimi zyrtarisht është realizuar në orët e mbrëmjes në Prishtinë. Është arrest një zyrtar policor dhe një qytetar”.

“Polici dyshohet për veprën penale marrje të ryshfetit dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare”.

Insajderi mëson se drejtuesi i Krimeve Ekonomike ka qenë udhëheqësi i një grupi policësh të cilët dyshohet se u kanë vënë haraç bizneseve.

Osmani dyshohet se ka hetuar shumë kompani, për t’ua mbyllur më pas rastet vetëm në këmbim të parave.

Gazeta merr vesh se priten edhe arrestime të shumta në krime ekonomike.

Ndërkohë edhe Inspektorati ka thënë se operacioni i sontëm nuk ka përfunduar dhe se është në vazhdim e sipër.