Denoncimi

Inspektorati në Ferizaj konfiskon produkte të dyshimta kozmetike e veshmbathje

Inspektorati Komunal i Ferizajt po vijon aksionet në terren në kontrollin e produkteve që ofrohen në tregun e kësaj komune.

Siç njofton Komuna e Ferizajt, së fundmi, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, kanë ndaluar një mjet transportues që po qarkullonte i ngarkuar me mallra, përkatësisht produkte kozmetike dhe veshmbathje ku pas kontrollit, doli se ato nuk kanë dokumentacionin përcjellës që dëshmon origjinën e produkteve dhe destinimin, rrjedhimisht edhe u konfiskuan, shkruan ksp.

Ridvan Berisha, koordinator i Inspektoratit Komunal, bëri të ditur se aksione të tilla ky mekanizëm i rëndësishëm institucional po zhvillon çdo ditë me të vetmin qëllim, “garantimin e produkteve të sigurta dhe të verifikuar me dokumentacionin përcjellës që ofrohet në tregun e Ferizajt”.

Ai inkurajoi qytetarët që të denoncojnë rastet të tilla në mbrojtje të ligjshmërisë, luftimit të produkteve të dyshimta dhe sigurisë së produkteve në treg.