Inspektorati i Punës konteston kryeshefin e KOSTT-it

Kompania publike KOSTT, potencialisht, mund të ketë një kryeshef ekzekutiv të zgjedhur në mënyrë të paligjshme, por që kishte ardhur si pasojë e një veprimi tjetër të paligjshëm.

Ilir Shala kishte marrë këtë detyrë me vendim të bordit të kësaj kompanie, më 1 mars të vitit të kaluar, raporton KTV.

Por, për Inspektoratin e Punës, shkarkimi i kryeshefit paraprak, Mustafë Hasani, nuk ishte bërë konform rregullave dhe, pavarësisht se ishte urdhëruar anulimi i vendimit për shkarkim, në këtë ndërmarrje ishte proceduar me konkursin për zgjedhjen e kryeshefit të ri.

Bordi, në nëntor të vitit 2017, kishte konstatuar se është legjitim për të vazhduar me procedurën dhe kishte ndryshuar përbërjen e komisionit.

Pikërisht këto dyja i konteston Inspektorati, sipas vendimit të siguruar nga KTV-ja: legjitimitetin e bordit, që sipas inspektoratit nuk kishte kuorum, por edhe legjitimitetin e njërit prej anëtarëve të saj.

Rrjedhimisht, vendimi për zgjedhjen e kryeshefit Ilir Shala, pas ankesave të KOSTT-it, nga dy shkallë të Inspektoratit të Punës, ishte konsideruar se nuk prodhon efekt juridik.

Në kompaninë publike KOSTT, vendimet e Inspektoratit i kanë konsideruar të paligjshme, për çka edhe i janë drejtuar gjykatës, rrjedhimisht duke mos u përgjigjur në pyetjet për ligjshmërinë e këtij procesi.

“Lidhur me procedurën e përzgjedhjes së kryeshefit ekzekutiv të KOSTT-it dhe vendimeve të referuara nga ju, është duke u zhvilluar procedurë gjyqësore sipas padisë së KOSTT-it për anulim të vendimeve të kundërligjshme të Inspektoratit të Punës, prandaj nuk mund të komentojmë apo ofrojmë informata tjera, përderisa procedurat gjyqësore janë në vazhdim e sipër”, ka thënë Zyra për media dhe relacione me publikun në KOSTT.

Përndryshe, Bordi i drejtorëve të KOSTT-it, mbetet ende i pakompletuar dhe me vetëm 3 anëtarë, pas shkarkimit të tre prej tyre nga qeveria Haradinaj.

loading…