Insiston AAK, Tahiri: Nuk tërhiqemi nga kërkesa për paratë e Trustit

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK’së, Besnik Tahiri, thotë se s’do të tërhiqen nga kërkesa për lejimin e tërheqjes së 30 për qind të parave nga Trusti Pensional i Kosovës.

I ftuar në emisionin DPT te Fidani, Tahiri ka kritikuar qeverinë e Albin Kurtit, derisa ka treguar arsyet se pse do të duhej të lejohej tërheqja e parave të Trustit.

“Asnjë qytetar nuk tërheq mjete me dëshirë nga një Fond i Trustit, në këtë rast nga një fond i veti”, tha Tahiri.

“Jo, nuk tërhiqemi (nga kërkesa)”, theksoi ai.

Tahiri thotë se qeveria s’ka ndërmarrë asgjë për të ndihmuar qytetarët, të cilët sipas tij ndodhen në një situatë të jashtëzakonshme.

“Në Kosovë situata është e jashtëzakonshme në raport me krizën financiare dhe kjo vjen si rrjedhojë e zhvillimeve ndërkombëtare mirëpo edhe gjendjes në Kosovë. Në këtë aspekt, ajo që dua të them është se sjellja e zakonshme në një situatë të jashtëzakonshme është gabimi i parë i qeverisë”, tha Tahiri.

Deputeti i AAK’së kujton se po gabohet duke mos u miratuar Ligji i Pagave.

“Kanë ndodhur ngritje të mëdha dhe s’kanë ndodhur veprime të qeverisë. Veprimet që janë dashur të bëhen janë neglizhuar. Paga minimale prej 250 eurove nuk mjafton”, tha Tahiri