Insistimin e LDK-së për seancë kundër “korrigjimit të kufirit” PDK-ja po e sheh si ikje nga përgjegjësia

Lidhja Demokratike e Kosovës nuk mendon të tërhiqet nga kërkesa e saj që Kuvendi i Kosovës të votojë kundër idesë për një marrëveshje eventuale me Serbinë për ndryshimin e kufijve.

Grupi Parlamentar i LDK-së i ka dorëzuar një kërkesë të re Kryesisë së Kuvendit për të mbajtur një seancë të jashtëzakonshme ku pret të miratohet rezoluta, e cila do të kërkojë që çështja e kufijve të Kosovës të mos diskutohet në dialogun me Serbinë në Bruksel.

Avdullah Hoti, shef i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se deklarimet dhe veprimet e presidentit Hashim Thaçi për ndryshim të kufijve, nuk kanë të ndalur. Andaj, ai thotë se kërkesa e dorëzuar mëton që me datën 1 nëntor të mbahet një seancë e jashtëzakonshme në mënyrë që presidentit t’i ndërpriten aktivitet për të hyrë në dialog për çështje të territorit.

“Askush nuk ka mandat të negociojë për territorin e Kosovës. Kjo është vija kryesore e kuqe në proces të dialogut. Unë shpresoj dhe u bëj thirrje të gjitha partive politike, të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës, që të jenë në seancë me datë 1 nëntor dhe ta votojnë këtë rezolutë”, tha Hoti.

Por, insistimi i LDK-së që Kuvendi ta miratojë këtë rezolutë, nga Partia Demokratike e Kosovës, e cila përbën shumicën në koalicionin aktual qeverisës, shihet vetëm si ikje nga përgjegjësia.

Zenun Pajaziti, deputet i PDK-së, tha për Radion Evropa e Lirë se kërkesa e re e LDK-së dhe veprimet e saj nuk janë asgjë tjetër vetëm përpjekje për t’i ikur arritjes së një konsensusi politik për dialogun dhe ikje nga përgjegjësia.

“Ky është një thellim i hendekut për sa i takon arritjes së një konsensusi për çështjen e dialogut. Në vend që t’i përgjigjeshin ftesës për një tryezë të përbashkët që të dilet me një platformë të përbashkët, të cilën kryetari i Kuvendit e kishte propozuar, tash kemi vetëm abstenime dhe për më tepër edhe kushtëzime”.

“Ne nuk duhet të paragjykojmë, e para asnjë prej institucioneve nuk ka të drejtë të veprojë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe nuk ka pse të paragjykohet në këtë fazë të dialogut një diçka e tillë dhe në kohën kur të gjithë në Kosovë [spektri politik] është për dialogun dhe ruajtjen e vlerave që janë arritur deri tash, që janë të prezantuar në Kushtetutën tonë”, tha Pajaziti.

Ndërkaq, deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, shpjegoi se në rast se nuk miratohet rezoluta e propozuar, do të ndiqen të gjitha rrugët e mundshme ligjore që presidentit të mos i lejohet që në bisedime të flasë për kufijtë e Kosovës. Ajo çka po kërkon LDK-ja, theksoi ai,është që të krijohet një vijë e kuqe në dialogun me Serbinë.

“Ne do t’i ndjekim të gjitha rrugët kushtetuese për të pamundësuar një gjë të tillë. Derisa nuk ka një rezolutë të re sa i takon procesit të dialogut, askush nuk mund të hyjë në dialog me Serbinë për të diskutuar çështje jashtë kompetencave kushtetuese”, shtoi Hoti.

Sipas tij, asnjë deputet i Kuvendit nuk e përkrah idenë e presidentit Thaçi për korrigjim të kufirit, derisa vlerëson se është shqetësues insistimi i tij për ta bërë një gjë të tillë.

Përderisa subjektet politike në pushtet dhe opozitë nuk po gjejnë gjuhë të përbashkët në lidhje me përfaqësimin e Kosovës në dialog dhe platformën për bisedime, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u ka bërë thirrje partive politike parlamentare për unitet në Kuvendin e Kosovës, sidomos në lidhje me platformën për bisedimet me Serbinë.

“Sa i përket dialogut, besoj se Kuvendi duhet t’i kryejë punët e veta, duhet të tejkalohet dhe ftoj spektrin politik të Kosovës, pa dallim, ata që janë në Qeveri dhe ata në opozitë, ta tejkalojnë këtë ngërç politik dhe institucional dhe t’i hapin perspektivë vendit”, tha deklaruar Thaçi pak para fillimit të forumit Frankofon të Investimeve që po mbahet në Prishtinë.

Nga ana tjetër, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përsëritur edhe një herë qëndrimin e tij të premten se nuk pranon ndonjë marrëveshje me Serbinë që çon drejt ndryshimit të kufijve.

“Mund të ketë marrëveshje ligjore për njohje reciproke me Serbinë, por jo marrëveshje të bazuar në territor, as në kufi”, tha Haradinaj në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë.

Së fundit, në Kuvendin e Kosovës janë propozuar dy rezoluta për dialogun me Serbinë, për të cilat deputetët e partive në pushtet dhe opozitë, kanë mendime të ndryshme.