Infektologu Tolaj: Pas një jave mund të kemi numrin më të madh të të infektuarve

Infektologu Ilir Tolaj tha se pati gabime në ecurinë e pandemisë si nga institucionet politike, si nga ato shëndetësore.

Për këtë ai po thotë se java e ardhshme mund të jetë edhe më e rëndë sa i përket numrit të të infektuarve.

“Kjo periudhë nuk është piku. Pas një jave mund të ketë numër më të madh dhe më pas të kemi rënie graduale. Kjo është pasojë e sitatuatë në terren dhe vetëdijësimit, gjegjësisht frikës të popullit”.

“Roli i institucioneve të Kosovës është minor tash për tash në mbajtjen në kontroll dhe ecurinë e pandemisë. Jemi në një situatë ku numri i të infektuarve është gati plotësisht i pakontrolluar dhe më shumë varet nga kontaktet e rëndomta të njerëzve sesa që varet nga zbatimi i masave, qoftë politike qoftë shëndetësore”.

Tolaj në Info Magazine tha se masat e mbylljes në fillim, e më pas lirimi i shpejtë, kanë qenë ekstreme.

“Rritjen e kemi pritur  meqenëse pas masave ekstreme të kufizimeve bie domosdoshmërish një periudhë e lirimit. Dhe pas lirimit nëse nuk është e  kontrolluar nga institucionet, mekanizmat e shteti s’mund t’i zbatojnë ato lëshime graduale dhe normalisht që do të ketë më shumë kontakte. Nuk është dashur që fillimisht të bëhen masat strikte siç ka qenë. Kemi disa specifika në vendin tonë që s’janë marrë parasysh”.