Infektologu Ahmeti tregon rreth gjendjes aktuale me koronavirus në Kosovë, nuk jep ndonjë alarm

Pavarësisht rritjes së numrit të personave të infektuar me koronavirus, infektologu Salih Ahmeti thotë se këto shifra janë të përballueshme për sistemin shëndetësor të Kosovës.

Ahmeti thotë se aktualisht situata është e menaxhueshme mirëpo mund të ndryshojë në rast shitimit të rasteve.

“Natyrisht se numri i rasteve është shtuar pak. Ne jemi pak më të stërngarkuar por nuk është e papërballueshme kjo”, tha Ahmeti.

Gjatë raportimit për gjendjen e pacientëve që janë të shtruar në Klinikën Infektive, Ahmeti, tha se gjendja e 49 pacientëve është e qëndrueshme, përveç 10 pacientëve që e kanë gjendjen më të rënduar.

Dy persona mbesin në gjendje kritike dhe janë në kujdes intensiv, tha mes tjerash ai.

Duke folur për gjendjen e pacientëve, infektologu tha se në gjendje të rëndë shëndetësore mbetet edhe një grua shtatzënë e moshës 40-vjeçare gjendja e së cilës po mbikëqyret në vazhdimësi.

Sipas tij tani për tani ka kapacitete të mjaftueshme njerëzore për të menaxhuar me sukses situatën e shkaktuar nga shtimi i numrit të të prekurve nga koronavirusi.

Deri më tani Kosova ka 423 raste të konfirmuara me koronavirus; 10 pacientë kanë vdekur, ndërsa 74 janë shëruar.