India

India kufizon importet e laptopëve dhe kompjuterëve për të rritur prodhimin vendas

India ka vendosur kufizime mbi importin e kompjuterëve dhe laptopëve në një lëvizje të befasishme nga qeveria e kryeministrit Narendra Modi, qeveri e cila ka tentuar që të inkurajojë prodhimin vendor në sektorin teknologjik.

Sipas një njoftimi të lëshuar gjatë së enjtes nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë , importuesit tani duhet të aplikojnë për licenca në mënyrë që të sjellin laptopë, tableta, kompjuterë dhe pajisje të tjera elektronike në vend. Më parë, importi i këtyre mallrave nuk ishte i kufizuar.

Ministria nuk ofroi asnjë arsyetim në lidhje me ndryshimin e rregullave, megjithatë Modi ka shtyrë në mënyrë agresive kampanjën e tij “Make in India”, e cila promovon prodhimin vendor në një përpjekje për të krijuar më tepër vende pune, raporton CNN, përcjell Telegrafi.

Ky vendim pason një kufizim të njëjtë ndaj importimit të televizorëve të mençur në vitin 2020.

Sipas Reuters, importet e elektronikës në Indi gjatë periudhës prill-qershor kapën shifrën e 19.7 miliardë dollarëve, një rritje kjo prej 6.25 për qind nga e njëjta periudhë në vitin 2022.

Shtytja e Indisë për prodhim vendor vije në një kohë kritike për vendin me popullatën më të madhe në botë, teksa kompani të ndryshme janë duke tentuar që të sigurojnë zinxhirët kryesorë të furnizimit larg Kinës.